Kosova

Haxhiu për shfrytëzimin e pronës së ministrisë së Drejtësisë në Vushtrri: Për kë punon Prokuroria Speciale?


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se për një pronë që i takon ministrisë së Drejtësisë i ishte dhënë në shfrytëzim për 10 vjet një personi fizik.

Përmes një video të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, Haxhiu ka thënë se kanë kërkuar nga auditori i ministrisë së Drejtësisë që të sqarohet se si i ishte dhënë prona publike një personi fizik.

“Sot ndodhem në Vushtrri në njërën nga pronat e ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 2020, ish ministri i Drejtësisë dhe ish drejtori i burgjeve kishin dhënë pronën publike, prapa meje, përballë meje dhe anash meje, prej 2 hektarësh e 12 ari e 17 metra në shfrytëzim për 10 vite për një person fizik”.

“Sapo kemi kuptuar për këtë, kemi kërkuar nga auditori i Ministrisë së Drejtësisë që ta auditoj procesin se si është dhënë prona publike në shfrytëzim tek një person fizik”, ka thënë Haxhiu.

Ajo tutje ka sqaruar se nga të gjeturat janë njoftuar se kontrata është lidhur pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore.

“Nga të gjeturat e auditorit të brendshëm, jemi njoftuar se kontrata është lidhur pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore mes ish bartësve të institucionit publik dhe personit fizik”.

Për të njëjtin vendim, Haxhiu ka thënë se është vërtetuar si “i drejtë dhe i ligjshëm” nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

“Pas raportit të auditorit, kemi anuluar njëanshëm kontratën e paligjshme dhe vendimi ynë është vërtetuar si i drejtë dhe i ligjshëm edhe nga Gjykata Themelore në Mitrovicë”.

Pasi që e njejta pronë ishte lëshuar nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish drejtori i burgjeve, ishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj tyre.

Por, që nga Prokuroria ishte rrëzuar kallëzimi penal pasi sipas tyre s’ka pasur shkelje.

“Me datë 26 prill të vitit 2022, kemi bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit të drejtësisë dhe ish drejtorit të burgjeve, dhe në vend të ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Speciale ka nxjerrur aktvendim për hudhjen e kallëzimit penal me arsyetimin se nuk ka shkelje penale sepse nuk ka dëme të shkaktuara”.

“Prokuroria Speciale ka krijuar një precedent të rrezikshëm pasi që sipas tyre rrënimi i objekteve publike nga personat fizik nuk është vepër penale. Edhe më keq Prokuroria në vend se të merret me ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë dëmtuar interesin publik ata kanë zgjedhur që të merren me auditorin e brendshëm i cili ka mbrojtur pronën publike”.

Haxhiu ka shtuar se, “në Prokurori dhe Polici kemi bërë edhe shumë denoncime të tjera, por deri tani fatkeqësisht nuk kemi asnjë lëvizje nga ana e institucioneve. Shtrohet pyetja e thjesht për cfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore