Kosova

Haxhiu për raportin e IKD-së: Nuk i kanë informacionet e duhura


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si jo të saktë raportin e Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), duke thënë se pretendimet se ministria e Drejtësisë s’është duke vepruar në mënyrë ligjore për t’i përmbush kërkesat për një proces transparent s’janë të sakta.

“Mendoj që nuk qëndrojnë, është e vërtetë që për disa reformë ne kemi pasur mungesë të bashkëpunimit, për faktin se ju e dini tashmë ka qëndrime publike. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial nuk i kanë mbështetur amendamentet kushtetuese për vettingun, megjithatë ato janë në Kuvendin e Kosovës dhe për faktin që ata nuk kanë pasur mbështetje për këto procese natyrisht se pastaj ka pasur edhe deklarata publike për të njëjtat”, ka thënë Haxhiu para gazetarëve.

Sipas saj, ka pasur përpjekje për bashkëpunim dhe angazhim me KPK-në dhe KGJK-në, e po ashtu me shoqërinë civile.

“Duket që nuk i kanë informacionet e duhura, por ne kemi pasur përpjekje maksimale që të angazhohemi, që të kemi bashkëpunim edhe me shoqërinë civile madje Ministria e Drejtësisë gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me organizatat e shoqërisë civile, por po ashtu edhe me gjithë partnerët tjerë”, ka thënë ajo.

IKD, ka vlerësuar se performanca e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe atij Prokurorial (KPK), s’mund të bëhet nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës kjo pasi që ministria e Drejtësisë s’është duke vepruar në mënyrë ligjore për t’i përmbush kërkesat për një proces transparent.

Komisioni për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është caktuar nga Ministria e Drejtësisë.

Takimi i parë i grupit punues për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve u mbajt më 17 maj 2023​.

Takimi i radhës i këtij grupi punues u mbajt më 26 qershor 2023, ku u diskutuan çështje të ndryshme lidhur me performancën, përfshirë mekanizmat dhe kriteret e vlerësimit​.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore