Lajme

Haxhiu: Pasuria mund t’u kontrollohet të gjithëve, edhe Thaçit e Veselit


Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë në Kosovë

Ligji i ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk do të përjashtojë askë. Asnjë zyrtar publik i cili ka qenë apo është në politikë nuk do të ketë mundësi të amnistohet, madje as dy ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli të cilët aktualisht po gjykohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Kështu ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu në Kanal 10 duke shtuar se me pagat të cilat marrin zyrtarët e lartë publik në Kosovë, askush nuk ka mundur të bëhet milioner, ashtu siç ka ndodhur më parë.

“Unë konsideroj se ne duhet t’i fuqizojmë institucionet tona në kuptimin që të merren edhe me pasuritë e politikanëve të cilat nuk mund t’i justifikojnë. Kosova është vend i vogël. Të gjithë e dinë se kush si ka vepruar para dhe pas luftës”.

“Ne jemi të interesuar t’i fuqizojmë institucionet tona dhe të krijojmë institucione të reja nëse është nevoja. Jo vetëm e pasuria e atyre që kanë qenë në pushtet deri më tani, por pasuria e të gjithëve do të verifikohet”, ka thënë Haxhiu.

“Në momentin kur Institucioni do të themelohet nga Kuvendi, pra kur fillon puna e tij. Në rastin kur shohin se një zyrtar ka pasuri në shpërputhje me të ardhurat që i ka, sepse duhet me theksu faktin që me 1200 me 1500 euro qoftë të Presidentit apo Kryeministrit, nuk mund të bëhesh as milioner e as të kesh biznese. Në Kosovë është keqpërdorur pozicioni që kanë pasur zyrtarët”.

“Askush nuk është imun nga kontrollimi i pasurisë, edhe unë, edhe ata (Thaçi e Veseli) edhe të gjithë”, përfundoi Haxhiu.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bënte u bënte thirrje deputetëve që të votohej Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, fokus të veçantë i jepte paligjshmërisë së zhvilluar në dy dekadat e fundit në Kosovë.

“Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me projektligjin për byronë shtetërore i cili është sjell në Kuvendin e Kosovës për ta marrë miratimin e juaj sot”, thoshte Kurti në seancën e Kuvendit më 24 shkurt të këtij viti.

Më pas pati polemika nga opozita.

“Ne analizë të projektligjit për këtë byro del se debati për konfiskimin e pasurisë do të vazhdojë, por lufta për konfiskimin e pasurisë nuk do të vazhdoj dhe nuk do të ndodh, mirëpo nuk kisha dashur të vazhdoj debati për këtë çështje, por kisha dashur që të filloj lufta për këtë çështje”, kishte thënë Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Gjithashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kishte deklaruar se vërejtjet e tij në lidhje me Byronë për Konfiskimin për Pasurisë dhe ka kërkuar që propozimi për këtë Ligj të dërgohet për konsultim në Komisionin e Venecias.

“Kërkojmë që të mos jetë vetëm një individ por nga një grup, dhe ata të zgjidhen nga shumica e kualifikuar, jo nga një shumicë e thjeshtë”.

Se situata aktuale në fushën e konfiskimit të pasurisë me origjinë jo legjitime nuk është e kënaqshme është theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Vendin të vitit 2019.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka nënvizuar se Kosova ka arritur progres shumë të vogël në fushën e konfiskimeve përfundimtare të pasurisë dhe e njëjta duhet të ndërmerr masa për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike me aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe të prokurorisë.

Kuvendi i Kosovës

Pas diskutimeve dhe kërkesave të opozitës, votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është shtyrë për një afat të pacaktuar, deri në përgjigjen nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri të ditur se do t’i drejtohet për opinion këtij Komisioni.

Me 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë votuar për pezullimin e afateve të parapara me rregulloren e kuvendit lidhur me këtë projektligj, deri në një njoftim të radhës.

“Në linjë të zotimit të kryetarit votimi në parim për këtë projektligj do të ndodh pas kthimit të përgjigjes ose opinionit nga komisioni i Venedikut”, kishte thënë thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore