Kosova

Haxhiu: Njëri nga të arrestuarit për vrasjen e gruas në Prishtinë është bashkëshorti


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konfirmuar që njëri nga të arrestuarit për vrasjën e Lirdona Ademi, është bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Lajmin e ka bërë të ditur Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.

Ajo tutje ka thënë se ky krim s’do të mbetet pa u ndëshkuar.

“Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”.

Çka ndodhi?  

Dy persona janë arrestuar të cilët dyshohet për vrasjen e një gruaje L.M, të mërkurën me armë zjarri në Prishtinë përkatësisht në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa trupi i saj është gjetur në një veturë.

Nga mediat është raportuar se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i saj, Naim Murseli – këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Lajmin për arrestimin e dy personave e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, ka thënë Ahmeti për AP.

Rasti është duke u hetuar si vrasje “me armë zjarr”.

Ngjarja e rëndë që kishte ndodhur më 29 nëntor fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete”, kishte thënë Ahmeti me 29 nëntor.

Ahmeti bëri me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

Ndërsa, policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetimet dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore