Haxhiu nënshkruan kontratë mbi 800 mijë euro për renovimin e IML-së

Dy herë brenda vitit ishte djegur Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML). Për renovimin e dëmeve që janë shkaktuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënshkroi kontratë në vlerë prej 814 mijë euro.
SHFLETO

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

 

Altina Marmullaku
25.09.2024 14:23
Loading Icons...

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka nënshkruar kontratën për renovimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në vlerë prej mbi 814 mijë euro.

Lajmin e ka bërë të ditur Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ky investim po bëhet për herë të parë dhe do të mundësojë transformimin e plotë të hapësirës së brendshme, duke përfshirë renovimin e laboratorëve, sallave të autopsisë, kulmit dhe zyrave të punës”, ka shkruar ajo.

Teksa ka sqaruar se përmes këtij projekti po ndërtohet një institut që jo vetëm që përmbush standardet më të larta teknike funksionale, por edhe rrit sigurinë edhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët.

“Ky është një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës mjeko-ligjore, duke garantuar shërbime moderne dhe cilësore në të gjitha rastet”.

IML-ja ishte përfshirë dy herë nga zjarri gjatë vitit 2023.

Ndërkaq, kontrata ishte dhënë me procedurë të hapur, e vlera e përgjithshme e saj është 814 mijë e 229 euro e 72 cent.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftim.

Albanian Post me burime brenda Institutit kishte kuptuar se zyrat që janë djegur nga flakët janë ato të ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendës-drejtorit aktual Ditor Halitit.

Këto dy zyra përbëjnë edhe dy dhomat kryesore brenda institutit.

Kjo s’ishte hera e parë që ishte djegur një pjesë e IML-së këtë vit.

Në muajin mars objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët gjithashtu.

Atëherë dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua.

Në IML ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve dhe rasteve që janë nën hetim.

Këto s’janë parregullsitë e vetme me këtë institut.

Në po të njëjtin, për një kohë të gjatë u tha se kanë humbur nga dhoma e dëshmive mbetjet e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në rrethana të dyshimta në burg e për të cilin LVV thoshte se “e ka vrarë pushteti”.

Mbetet akoma e pakuptueshme se kush mban përgjegjësinë e kujdesit që të mos ndodhin rate të tilla, përveç përgjegjësisë politike që i takon Ministrisë së Drejtësisë.