Kosova

Ministrja Haxhiu merr në mbrojtje ambasadorin Berishaj pas thirrjes së presidentes Osmani për dorëheqje


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për shtyp të mërkurën, ka folur edhe për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për një skandal financiar të përmasave rajonale, duke vlerësuar se “nuk ka pasur as keqpërdorim të detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë, as përfitim material” akoma pa përfunduar hetimet.

Ministrja Haxhiu, në pyetjen e gazetarëve se cili është qëndrimi i ekzekutivit kosovar rreth thirrjes/kërkesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që ambasadori Berishaj të largohet nga përfaqësimi diplomatik i vendit derisa drejtësia të japë fjalën e fundit, ajo është përgjigjur shkurt duke thënë: “Duke qenë se kemi folur disa herë për këtë, nuk kam çfarë të shtoj”.

Ambasadori Berishaj është subjekt i hetimeve të Prokurorisë së Kosovës për shmangie të tatimit dhe shpëlarje të parave. Ai ka bërë jehonë në vitin 2022, kur mediat sllovene raportuan se ambasadori i Kosovës në Kroaci ka transferuar rreth 600 mijë euro tek një kompani private në Mal të Zi.

Ndryshe, pavarësisht thirrjeve për shkarkimin/dorëheqjen e ambasadorit të dyshuar për korrupsion, ekzekutivi nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) akoma nuk ka vepruar, duke pretenduar se ai është i pafajshëm. Ambasadori Berishaj vazhdon të merret në mbrojtje nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore