Haxhiu: Me anulimin e listës së çmimeve të barnave ndaluam zhvatje milionash

SHFLETO

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

 

Altina Marmullaku
07.06.2024 23:04
Loading Icons...

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, njëherësh edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, deklaroi se vendimi për anulimin e listës së çmimeve të produkteve medicinale, duhet parë si “fitore për qytetarët”.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, i ka marrë meritat për anulimin e kësaj liste – që sipas tij kishte për qëllim përfitimet personale.

“Me këtë vendim u dëshmua dështimi i qeverisë Kurti në përpjekjen për të rritur çmimet e barnave në interes të kompanive të caktuara faramceutike dhe në dëm të pacientëve”.

“Ky anulim vjen pas reagimit të vazhdueshëm që kemi bërë pas publikimit të Listës së çmimeve të barnave, miratuar nga Qeveria Kurti e ku çmimet e publikuara të barnave ishin shumë më shtrenjtë se sa janë aktualisht në barnatore”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se kësaj radhe ata ia dolën që të “ndalonin zhvatje milionëshe në dëm të pacientëve”.

Teksa prezantoi listën e çmimeve të produkte medicinale.

“Shikoni të dashur qytetarë se si vetëm në 100 produkte të analizuara qeveria kishte miratuar rritjen e çmimit të barnave, të cilën përkohësisht e ndaluam”.

Ndryshe nga Haxhiu, ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka parë këtë proces si dobësi të pushtetit.

“Para tre jave është miratuar lista e çmimeve të produkteve medicinale. Sot, u anulua! Çfarë dobësie! Çfarë loje e ndytë!”.

“Interesin e pacientit të varfër, kjo Qeveri e ka shkelur me dy këmbë, në vazhdimësi po abuzon me të. E kjo veç për shkak të akomodimit të interesave personale financiare dhe interesave të mafisë farmaceutike”, ka shkruar Zemaj.

Sipas tij, tashmë janë bërë të ditura përfitimet personale, prandaj edhe ky proces është anuluar.

“Kaq dinë kaq mund të bëjnë ky pushtet!”.

Zemaj, tutje ka shfaqur disa shembuj që shpërfaqin tendencën për abuzim me çmime.

Ligji për çmimin e produkteve medicinale është miratuar në vitin 2023, por që kishte hyrë në fuqi në maj të 2024-të, kur edhe është publikuar çmimorja e barnave.

I njohur ndryshe si Ligji për çmimin e barnave, ky akt normativ ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna.

Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.