Kosova

Haxhiu e bën gjyqtaren: Rozeta Hajdari është e pa korruptuar – po të ishte do shkarkohej nga Kurti


Ndonëse ende nuk ka ndonjë vendim gjyqësor për dyshimet rreth keqpërdorimeve të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të udhëhequr Rozeta Hajdari, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është e bindur që Hajdari është “e pa korruptuar”.

“Ne dërgojmë mbi 200 lëndë në prokurori dhe nuk merren me trajtimin e keqpërdorimeve që kanë ndodhur ndër vite në institucione dhe me lëndët e korrupsionit, por merren me rezerva, me miellin, me sheqerin dhe vajin. Dy prokurorë merren me ministren Hajdari. Ministrja Hajdari është e pa korruptuar”, ka insistuar ajo gjatë një interviste në Radio Televizionin Publik të Kosovës dy ditë më parë.

“Po të kishte dyshime kryeministri që ministrja Hajdari është e korruptuar, do ta shkarkonte. Por, ka një mësymje ndaj saj”, shtoi ajo.

Edhe kryeministri Albin Kurti, në një tendencë për të arsyetuar keqpërdorimet e publikuara në media për mallrat që u blenë për Rezervën Shtetërore e nuk mbërritën kurrë në Kosovë, pati mbrojtur ministren Hajdari dhe kishte kritikuar prokurorët duke thënë se “po i përndjekin” ministrat e kabinetit të tij.

“Prokurorët tash janë shumë ma aktiv prejse ne kemi ardhur ne pushtet. Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili ka shënuar mbi 100 milionë euro profit për KEK-un mbahet në burg mbi gjashtë muaj, e mandej në arrest shtëpiak. Të njëjtit prokuror një terrorist në Veri e lëshojnë në arrest shtëpiak, drejtësi është kjo?”, ka pyetur gazetaren e RTK-së që po e intervistonte më 22 mars.

“Ose ia mësynë Rozeta Hajdarit. E kam për detyrë që publikut t’ia tregoj të vërtetën. Ministrat tonë janë të përndjekur nga prokuroria më shumë se gjitha qeveritë tjera”, shtoi ai.

Kurti pati adresuar kritika edhe për të propozuarin për kryeprokuror të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufajn, emirin e të cilit ka refuzuar ta dekretojë presidentja Vjosa Osmani.

“Nuk është i rastësishëm edhe insistimi për kryeprokurorin, prandaj Kosova qe dy vjet nuk ka kryeprokuror. Sepse ata thonë që një emër i përveçëm ose asnjëri. 200 prokurorë i ka Kosova, 120 i plotësojnë kushtet, ata thonë vetëm Isufaj”, potencoi kreu i Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore