Kosova

Hasani: Në Veri ka mungesë totale të sovranitetit


Enver Hasani

Sipas Enver Hasanit, ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – ka mungesë totale të sovranitetit.

“Praktikisht në Kosovë ka mungesë totale të sovranitetit në pjesën veriore, për shkak se rendi dhe ligji mbahen me dhunë”, ka thënë Hasani në një intervistë për televizionin publik.

Sipas tij, nuk mund që në emër të luftimit të krimit të organizuar “të ushtrosh dhunë sistematike ndaj krejt popullsisë”.

“Derisa nuk ka prokuror të rregullt, gjykatë të rregullt, polici të rregullt, ajo konsiderohet mungesë sovraniteti dhe dhunë sistematike bruto e shtetit të pavarur e sovran të Kosovë dhe kush mendon se mund të shtrihet sovraniteti i vendit me mjetet e dhunës fizike të aparatit shtetëror është naiv më i madh”, shtoi,

Në prizmin e Hasanit, kjo mund të bëhet vetëm përmes procesit politik.

“Ai proces politik duhet me u hap… është dashur që të hapet prej fillimit se tash nuk merret kush me atë punë derisa të kryhen zgjedhjet”.

Sa i përket deklarimeve të pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, se me hapjen e Urës mbi lumin Ibër shtrihet sovranitetit në Veri, ish-kreu i Kushtetueses potencoi se “është absurde të thuhet se ura simbolizon shtrirje të sovranitetit”.

Ndryshe, partia që ka pushtetin në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, pas disa veprimeve të ndërmarra në Veri të vendit kanë theksuar se po shtrihet sovraniteti në atë pjesë të vendit.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, kanë kritikuar qeverinë në lidhje me vendimet për Veriun.

Madje, për shkak të vendimeve të qeverisë, BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, në qershor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore