Kosova

Hartwell: Tensionet në Veri e aktivizuan SHBA-në në procesin e dialogut


Analisti në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me qendër në Washington, Leon Hartwell, ka thënë se për shkak të tensioneve të fundit në Veri të Kosovës në dialog janë përfshirë edhe SHBA-ja, derisa shton se njohja e Kosovës nga Serbia do t’i hapte rrugë kësaj të fundit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Këmbëngulja e një zyrtari të lartë amerikan dhe retorika që ai përdori për të thënë se SHBA-ja është e gatshme të investojë energji të konsiderueshme diplomatike për të lehtësuar një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirës të bazuar në njohjen reciproke, tregon se tensionet e fundit në kufirin mes dy vendeve kanë ndikuar në Amerikë për t’u përfshirë në mënyrë më aktive në proces”, theksoi Hartwell për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

“Për t’i zgjidhur të dyja çështjet, Serbia do të duhet të njohë pavarësinë e Kosovës dhe Vuçiç nuk u përpoq të ndikojë në opinionin vendas lidhur me këtë çështje. Shumica e qytetarëve serbë nuk do ta pranonin ofertën e anëtarësimit në BE në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës”.

Prandaj, ai mendon se “nëse Vuçiç do të ishte serioz për integrimin e Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, do të fillonte të ndryshonte narrativen për situatën aktuale”.

Ai thekson se e gjithë vëmendja e SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe mediave është e përqendruar në faktin se Kosova refuzon të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Megjithatë, Kosova ka zbatuar më shumë se 30 marrëveshje me Serbinë – e cila, nga ana tjetër, ka ngecje në zbatim. Duket se Beogradi e ka avantazhin në tavolinën e bisedimeve në krahasim me Prishtinën. Vëmendja duhet të përqendrohet më shumë në hezitimin e Serbisë dhe Beogradit për ta drejtuar dialogun në drejtim pozitiv”.

Derek Chollet: Ngjarjet në Veri i kanë dhënë rëndësi Asociacionit, të themelohet urgjentisht

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore