Kosova

Haradinaj: Vendet e QUINT-it u poshtëruan dy herë nga Serbia brenda një jave – përgjigja më e mirë do ishte hapja e urës së Ibrit


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se brenda një jave Serbia “e poshtëroi dy herë bashkësinë ndërkombëtare dhe vendet e QUINT-it”, teksa ka përmendur mbajtjen e “Kuvendit Gjithëserb” në Beograd dhe deklaratën fyese për shqiptarët të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin.

“Brenda një jave Serbia dy herë poshtëroi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe QUNT-in me të ashtuquajturin “Kuvendi Gjithëserb”, ku u dhanë deklarata mesjetare e po ashtu edhe Vulin me deklaratat e tij mesjetare të cilat bien ndesh me thirrjet ndërkombëtare për stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Tani, sipas Haradinajt, bashkësia ndërkombëtare përgjigjen më të mirë ish-shefit të BIA-s, Vulinit do mund t’ia jepte me hapjen e urës së Ibrit e cila e lidh Mitrovicën Jugore me atë Veriore.

“Bashkësia Ndërkombëtare dhe Kosova përgjigjen më të mirë do t’ia jepte Vulinit dhe të gjithëve me mendësi të tillë, me hapjen e Urës së Ibrit”, theksoi kreu i AAK-së.

Ndryshe, javën e kaluar, në Beograd, është mbledhur i ashtuquajturi “Kuvendi Gjithëserb”, në të cilin është miratuar edhe një deklaratë e përbashkët në mes të Serbisë dhe Republikës Srpska.

Kjo deklaratë, siç pretendoi presidenti serb, ka të bëjë “për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb”.

Prezent në këtë mbledhje ka qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili së fundmi është duke kërkuar shkëputjen e RS-së nga Bosnje e Hercegovina, madje për këtë ai ka propozuar një referendum.

Dodik, është shfaqur në delir të plotë, pasi që ka deklaruar se “Kosova është pjesë e Serbisë, por edhe e RS-së”

Ndërkaq një ditë më parë, Vulin, ka eskaluar në fyerje ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, por edhe ndaj të gjithë shqiptarët në përgjithësi.

Këto deklarata fashiste, Vulin i ka bërë pasi që Hovenier, duke folur për të ashtuquajturin “Kuvendi Gjithëserb” që u mbajt të shtunën në Beograd në mes të Serbisë dhe Republikës Srpska, tha se vendi i tij nuk e mbështet deklaratën që doli nga ky kuvend, në të cilën, ndër të tjera, propagandohet se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore