Kosova

Haradinaj vazhdimisht po i thotë Kurtit se “është njeri i Serbisë”, pse kryeministri s’po i reagon?


“Është agjent i rekrutuar i shërbimeve serbe”, “i shërben Rusisë” “ishte në lidhje dashurie me vajzën e një ish-ministri të Millosheviçit”.

Këso akuzash ndaj kryeministrit Albin Kurti ka adresuar ditëve të fundit kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i AAK-së gjatë një interviste në Klan Kosova theksoi edhe se “lidhja e Kurtit me një vajzë serbe” i ka ndihmuar këtij të fundit sa ka qëndruar në burg në Serbi.

”Përkundër të këqijave që ia kanë bërë, ka shumë shenja që tregojnë që Kurti është në shërbim të agjendës serbe dhe ruse”, shprehej i bindur Haradinaj.

Në vazhdim të intervistës, deputeti i AAK-së e tha me bindje që Kurti është në shërbim “të agjendës ruse dhe serbe”.

“Konfirmimi po vjen nga veprat e tij gjatë këtij mandati qeverisës, meqë na kishte gënjyer që është për bashkim kombëtar, bashkimin kombëtar e paska pasur kartë vetëm për t’i frikësuar të tjerët nga pavarësia e Kosovës”, shtoi.

Kritikat për Kurtin, ish-kryeministri Haradinaj nuk i ndali as këtë muaj, teksa i kërkoi llogari, pasi theksoi se Kurti para 10 vjet ishte gjetur në një veturë “i mbuluar me batanije” me pjesëtarë të BIA-s serbe.

“Pse vite pas lirimit tënd nga burgu, me 17 janar 2004, në Dollc të Klinës, u gjete i mbuluar me batanije, në makinë me agjentë serb Gollub e Boban Donqiq”, shkroi Haradinaj.

“Përgjigju Albin. Nuk mund të gënjesh më e as të fshihesh pas patriotizmit që asnjëherë nuk e ke pasur”.

Tutje, Haradinaj ka akuzuar Kurtin edhe për “partneritet” me kriminelin Milan Radojiçiç, por i ka bërë të qartë se “po i bie maska”.

“Dil e trego pse kërkove partneritet me Radoijçiç-in kur e ke ditur se ai ka qenë i ndjekur nga organet e rendit dhe i arratisur nga Kosova që prej nëntorit 2018, e në Listën e Zezë të Amerikës prej dhjetorit 2021?”, e pyeti ai kryeministrin.

Pos kësaj, vitin e kaluar në një bisedë në Tëvë 1, Haradinaj pati thënë se Kurti ka “kimi serbe”.

“Po shihet se kimia e Kurtit është edhe pak serbe”, tha Haradinaj, teksa vazhdoi shpjegimin: “Kimia, pra përbërja e tij si person është pak serbe”.

Ndërkaq në një intervistë për gazetën “Blic”, po ashtu pati hedhur dyshime se “veprimet guerile” të kryeministrit Kurti në pjesën veriore të Kosovës “po i shërbejnë agjendës ruse dhe serbe”.

“Dihet se agjendat e Serbisë se çka kanë qëllime në veri. Nuk është se ai, Kosova dhe bota nuk i dinë qëllimet e Serbisë. Veprimet e këtij të vetme pa amerikanë janë të dëmshme”.

Në një prononcim tjetër të Haradinajt gjatë vitit të kaluar në Kanal 10, ky i fundit pati thënë se “Kurti nuk është i Kosovës”, por është i kontraktuar “prej armiqve të shqiptarëve”.

Megjithatë, akuzave të Haradinajt deri më tani nuk i është përgjigjur asnjëherë kryeministri Ablin Kurti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore