Lajme

Haradinaj thirrje serbëve të Kosovës të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike


Ramush Haradinaj

Ish Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ju ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të distancohen nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën përmes gjuhës së urrejtjes ndëretnike.

Këtë thirrje Haradinaj e ka bërë përmes rrjetit social Facebook duke thënë se “Kosova u ndërtua me shumë vuajtje, dhembje e sakrifica”.

“Pas luftës së përgjakshme, ajo gjeti forcën dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë konsolidoi demokracinë dhe krijoi një ambient ku shqiptarët dhe komunitetet pakicë, të jetojnë bashkë në paqe e harmoni”.

Ramush Haradinaj

Ai ka thënë se investimin shumëvjeçar në Kosovë, fatkeqësisht personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë “siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin”.

Ishte gjuha e urrejtjes që kishin përdorur anëtarë të kabinetit të Haradinaj, andaj ai ka rikujtuar se ai kishte ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj tyre.

“Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ish ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç – I shkarkuar pas përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndëretnike
Ish zv.ministrja e Drejtësisë, Vesna Mikiç – E shkarkuar pas përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndëretnike

Standardin e krijuar nga ai, Haradinaj kërkon ta respektoj secila qeveri e Kosovës në mënyrë që të mos lejohet shkatërrimi i investimeve të shumta për demokraci e bashkëjetesë që ka bërë Kosova.

“Orientimi ynë, vazhdon të mbetet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe të gjitha grupeve etnike pakicë, që Kosova të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj e që respekton të drejtat e secilit”, ka shkruar Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore