Kosova

Haradinaj: Të miratohet Ligji i Pagave, Institucionet po i rrezikojnë qytetarët


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa kërkoi miratimin e Ligjit të Pagave, ka thënë se institucionet po i rrezikojnë qytetarët.

Grupi parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës kanë mbajtur tryezën me temë: Pagat në sektorin publik, statusi aktual i projektligjit dhe urgjenca e procedimit të tij.

“Nëse nuk e fuqizojmë këtë ligj tash, jemi duke e rrezikuar krejt sektorin publik në Kosovë, shërbimin, institucionet, jo vetëm administratën ose vetëm arsimin ose vetëm shëndetësinë, por direkt qytetarin sepse ai është përfitues i këtyre shërbimeve”, është shprehur Haradinaj.

Sipas tij, me gjendjen aktuale do të ketë varfërim të sektorit privat dhe kualitet më të dobët në shërbim.

“Problemi do të jetë që me kalimin e kohës se jo vetëm që do të varfërohen këta që janë në sektorin publik, sepse janë rritur çmimet, por problemi do të jetë shumë më i madh, përpos demotivimit që do të japë kualitet më të dobët në shërbim, do të bie në cilësi, e vuan qytetari ynë, do ta humbin kuadrin”, shtoi ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Siç thotë Haradinaj, në të kaluarën praktika ka qenë që çdo vit “të ndodhë një rritje e pagave katër deri në pesë për qind, që i bie që për një mandat qeverisës të kalojë 20 përqindëshin e rritjes konstante pa qenë rezultat i kërkesës së caktuar”.

“Kjo praktikë është ndërprerë sepse në këtë vit nuk kemi pasur një rritje të tillë”.

“Nëse do të fuqizohej ligji në këtë vjeshtë, ose do të vinte në Parlament atëherë i bie që do ta obligonte qeverinë që ta parasheh në planifikimin buxhetor për vitin që vjen. Kostoja e Ligjit për një vit është deri në 140 milionë në vit, që i bie diku rreth 13 milionë në muaj”, shtoi ai.

Prandaj, sipas tij, është e nevojshme sjellja e këtij ligji në kuvend.

“Është e nevojshme që ta sjellin në Kuvend ligjin e Pagave, menjëherë, mos të vonojmë, të ketë planifikim buxhetor për vitin që vjen, të ndodhë rritja tradicionale, dhe kësisoj të bëjmë plane për çfarë rritje të pagave mund të shkojmë”.

“Ju siguroj që në këtë temë do të jemi të kujdesshëm që të mos krijojmë hidhërim te ndonjë parti politike, duam të kemi mirëkuptim edhe nga LVV në këtë temë, nga kryeministri Kurti, sepse nuk është një temë që prek vetëm një kategori të njerëzve, por të gjithëve”, përfundoi Haradinaj.

Në anën tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Ligji i pagave duhet të vendoset në këtë vit dhe të buxhetohet në vitin 2022.

“Në bazë të asaj që dihet, tri proceset konsultative për momentin nuk po ndodhin. Konsultimi i parë është ai paraprak që ndodhë me institucionet që preken, konsultimi me sindikatat, dhe konsultimi publik. Ky ligj është e pamundur të vijë në këtë vit”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Ai ka theksuar se kërkesa e AAK-së, është të dërgohet ligji në kuvend sepse për këtë qeveria aktuale do ta ketë mbështetjen e AAK-së.

“Kërkesa jonë dhe zotimi ynë si grup parlamentar është shumë i thjeshtë. Silleni ligjin në kuvend, kryejeni konsultimin paraprak, e keni besimin votat dhe mbështetjen tonë. Projektojeni në buxhet, sepse nëse nuk ka buxhet ky ligj nuk hyn në fuqi”, shtoi ai.

Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, ka thënë se kjo sindikatë pavarësisht paralajmërimeve sindikale nuk i dëshiron ato.

“Ju lus që të mos e dërgoni shëndetësinë në përplasje tjera, mos na dërgoni as neve. Nuk i duam veprimet sindikale. Çdo goditje e re do të krijojë telashe. Qeveria i ka mbyllur dyert e dialogut, me katër dhjetor do të fillojmë me protesta, me 18 me të tjerat dhe janari do të jetë në grevë, nuk e dëshirojmë këtë por Qeveria Kurti po na orienton drejt kësaj situate të keqe”, u shpreh ai.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari

Kurse, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka paralajmëruar se do të ketë një reaksion social nëse nuk ndërmerret asgjë nga qeveria.

“Po paralajmëroj menjëherë pas kësaj jave do të fillojmë më grevë tjetër dhe edhe nëse kjo nuk kuptohet atëherë do të përgatitet një reaksion social sepse këtë e kemi obligim ndaj anëtarësisë tonë”.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla

Ai ka theksuar se ka tetë muaj prej se kjo sindikatë ka dërguar letër drejt institucioneve përkatëse.

“Janë bërë tetë muaj që në vazhdimësi kemi dërguar letër drejt tij, drejt Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, Presidentes Vjosa Osmanit, e Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlës. Kemi pasur një injorancë totale. E vetmja letër që kemi marrë nga një zyrtare anonime që ka thënë se po punohet në grup brenda ministrisë së administratës publike dhe kaq”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore