Lajme

Haradinaj: Shtetit i kushtoi 12 milionë euro forma që zgjodhi për t’i pajisur nxënësit me libra


Takimi i AAK-së me SBASHK-un.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e kësaj partie me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe disa drejtori të Arsimit ka diskutuar për “gjendjen e rëndë të Arsimit në vend”.

Haradinaj, për vendimin e librave ka thënë se shqetësues dhe i gabuar, sipas tij kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milionë euro.

“Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimeve nëse nuk ka trajtim financiar për mësimdhënësit. Kemi shpresuar se Qeveria do ta bëjë një zgjidhje duke i ngritur pagat, dhe na ka ardhur keq se në kohën e grevës, trajtimi nuk ka qenë meritor”.

“Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet shkollore, nuk kemi deshtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë, sikur të kishte ndodh një ofertim i drejtë e me kohë. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionëshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjtë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë”.

Ai tutje ka kërkuar përgjigje në pyetjen se kush garanton që të gjithë fëmijët kanë tekste.

“Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garantoj që të gjithë fëmijët i kanë tekstet. Ju bëjë thirrje qytetarëve të bëni kujdes, t’i siguroni tekstet, jo të vonoheni e të vendosni në plan të dytë, për shkak se pasojat janë të mëdha në procesin e nxënies së dijes”, ka thënë Haradinaj.

Takimi i AAK-së me SBASHK-un.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, potencoi se vendimi i MASHT-it për sigurimin e teksteve shkollore është duke rezultuar që të jetë problematik.

“Ka shtatë muaj që Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe iu kisha lutur që të keni kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor”.

“Shqetësim tjetër është se po përballemi me punëtorë arsimorë me sëmundje të rënda, këta po duhet të shkojnë në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, duhet t’iu ndahet një buxhet dhe në vend të tyre të aktivizohen kuadro të reja”, tha Jasharaj.

Edhe, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka prezantuar disa gjetje që kanë hasur nga fillimi i vitit shkollor.

“Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që iu garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas”.

“Shuma 50+30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë tekstet shkollore, gjetjet që ne kemi, është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshmen”.

“Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kanë kompletuar të gjitha tekstet”.

Ai ka përmendur edhe problemet që po kanë familjarët për të pranuar të hollat për librat dhe materialet shkollore.

“Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton një prind që ai prind nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.

Ministria e Arsimit këtë vit dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë ka uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

E njëjta Qeveri vitin e kaluar nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

“Pa libra, pa të holla” – rruga e re e Qeverisë për të nisur procesin mësimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore