Lajme

Haradinaj: Serbia të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga instrumentalizimi i serbëve të Kosovës


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, deklaroi se Serbia duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga instrumentalizimi i serbëve të Kosovës, ndërsa shtoi se qytetarët serbë që përbëjnë shumicën e popullësisë në pjesën veriore duhet të jenë pjesë e proceseve demokratike.

Reagimi i kreut të AAK-së vjen pas thirrjes së Listës Serbe që serbët e Kosovës ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë dhe procesin e largimit të katër kryetarëve shqiptarë në veri të vendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Ai theksoi se tërheqja e anëtarëve serbë nga komisionet komunale zgjedhore (KKZ) në veri, janë në kundërshtim me normat demokratike.

“Thirrjet e Listës Serbe që serbët e Kosovës ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë si dhe tërheqja e anëtarëve serbë nga komisionet komunale zgjedhore në veri, janë në kundërshtim me normat demokratike dhe në dëm edhe të vetë qytetarëve serbë. Ata duhet të jenë pjesë e proceseve që rrisin mirëqenien, sigurinë dhe përparimin e tyre”, shkroi Haradinaj.

“Këto procese nuk duhet të lidhen me agjendat politike të Beogradit. Regjistrimi i popullsisë është interes i të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe qytetarët serbë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ndikohet nga agjendat politike. Politika e Beogradit, duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga instrumentalizimi i serbëve të Kosovës për agjenda politike”, shtoi ai.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë – ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit – filloi më 5 prill dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj. Megjithatë, ndonëse censusi për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në pjesën veriore të Kosovës, partia kryesore e serbëve në vend paralajmëroi se serbët nuk do të marrin pjesë.

Ndryshe, katër anëtarë të KKZ-ve nga forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës janë dorëhequr nga pozita në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – një ditë pas paralajmërimit të Listes Serbe se s’do të marrë pjesë në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore të Kosovës për largimin e kryetarëve.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore