Kosova

Haradinaj propozon “strategji tre-pikëshe” për zgjidhjen e krizës në veri


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërina e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka propozuar një “strategji të re” për zgjidhjen e krizës në veriun e trazuar të Kosovës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ai ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë qasjen në adresimin e krizës në veri, veçanërisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ngase sipas tij, strategjia e deritanishme e kryeministrit Albin Kurti e ka kthyer gjendjen atje para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Kreu i AAK-së, në strategjinë e tij tre-pikëshe, ka përmendur dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nga Qeveria e Kosovës dhe ftesën që serbët të kthehen në institucionet qendrore.

“Koha është për veprime të menjëhershme. Kryetarët e zgjedhur të japin dorëheqje. Menjëherë të kthehemi te draf-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe njëkohësisht, ftesa e serbëve për pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj të martën.

Autoritetet kosovare janë në pritje të njoftimit të Bashkimit Evropian për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratisllavë të Sllovakisë dhe tërheqjes së 50 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, por kreu i AAK-së sërish është shprehur skeptik.

“Të gjitha këto veprime kaq të mira, nuk japin efekt. Në saje të kësaj strategjie të gabuar, ne të gjitha do t’i japim, por prapë do të mbesim nën sanksione. Ne duhet të darkordohemi për ndërrimin e strategjisë rreth dialogut dhe marrëdhënieve me aleatët”, ka theksuar Haradinaj.

Për t’i dhënë fund krizës aktuale, nga BE-ja kanë specifikuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore e të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve në përputhje me deklaratën e 3 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore