Lajme

Haradinaj: Motivi ynë për të ecur përpara janë personazhet që krijuan historinë kombëtare


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë së shtunës ka bërë homazhe në Gjakovë dhe në Klinë, prej nga edhe ka thënë se ngjarjet e së kaluarës duhet të jenë motiv për të vazhduar përpara.

“Përkujtimet e ngjarjeve dhe personazheve që e bënë historinë tonë kombëtare, përpos krenarisë, na motivojnë edhe më shumë për të ecur para, për ta bërë atdheun vatër të ngrohtë, të sigurt e të zhvilluar, me mirëqenie për brezin tonë, e me të ardhme të ndritur për fëmijët tanë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka theksuar se përpjekjet shekullore për liri, kanë njohur angazhimin, veprimtarinë e rezistencën.

“Mbi të gjitha luftën për liri dhe heroizmin e pashembullt të shqiptarëve në secilën pëllëmbë të Atdheut”.

“Respekt të përjetshëm për të rënët. Heroizmi i tyre u trashëgoftë!”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ka kujtuar masakrën që kishte ndodhur në fshatin Reznik të Vushtrrisë duke thënë se vitet 1998-1999, i gjetën shqiptarët të pasigurt në të gjithë Kosovën.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë, prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore