Kosova

Haradinaj, Kurtit: Njeri i poshtër, me faqe të zezë po e heq përgjegjësinë për “Contour Global”


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “njeri të poshtër” dhe e ka akuzuar se po e heq përgjegjësinë për kompaninë amerikane “Contour Global” të cilës Qeveria e ia ka ndarë mbi 21 milionë pasi Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023.

“Albini çdo ditë po dëshmon se është edhe Kryeministër i dobët edhe njeri i poshtër. Me krenari dhe me lëvdata e ka pas shkelë kontratën me Contour Global (Ministrja e tij i ka dërguar letër dhe ia ka ndërprerë përkrahjen) e me faqe të zezë përgjegjësinë për dëmshpërblim po e heqë prej vetes. E pabesueshme ku ka mbërri logjika e politikës trushpërlarëse e Kurtit”, shkroi Haradinaj në Facebook.

“Kurti e la Kosovën edhe pa 500 MW energji, ku që nga viti 2023 do t’i përfitonte Kosova me çmim prej 83€ e në ndërkohë ka blerë energji deri në 600€ e qytetarit të shkretë jo një por dy herë ia ka rritë çmimin e energjisë”, shtoi.

Sipas kreut të AAK-së, kjo është politika e “mashtruesit Albin Kurti”, derisa ka shtuar se kryeministri “e gjuan gurin, e vjedh popullin dhe në mënyrën më të poshtër e fsheh dorën”.

Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka vlerësuar se projekti në fjalë nuk ka qenë i dobishëm për Kosovën në momentin që kur ishte planifikuar.

“Fatkeqësisht, ndërprerja e qeverisë tonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar se Kosova të mos kishte pasoja të mëdha. Me gjithë pasojat, është shumë më mire që projekti i tillë nuk është realizuar sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar”, tha Kurti.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore