Lajme

Haradinaj: Kurti i është kthyer mashtrimeve elektorale


Ilustrim: Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, meqë ka vlerësuar se ai i është kthyer mashtrimeve elektorale.

“Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit”, ka shkruar fillimisht Haradinaj në një postim në platformën sociale, Facebook.

Ish-kryeministri i Kosovës ndërsa ka numëruar, sipas tij, disa nga mashtrimet e Kurtit sa ishte në opozitë, ka thënë se mashtrimet e tij, të cilat i ka cilësuar, si ordinere po vazhdojnë edhe sa është në pushtet.

“Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij”.

“Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij”.

Fjalët e bukura, se shoqëria përparon kur askush nuk mbetet mbrapa, sipas Haradinajt, janë në shpërputhje me realitetin që po e jetojmë.

“Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore