Kosova

Haradinaj: Kurti dhe klika e tij janë kriminelë, e kanë dështuar projektin “Contour Global”


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe të gjithë vartësit e tij që kanë dështuar projektin “Contour Global”, janë “kriminelë”.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një konferencë për media të enjten, një ditë pasi që qeveria ia ka ndarë mbi 21 milionë euro kësaj kompanie, për shkak se Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti, ka fajësuar ekzekutivin e Haradinajt që Kosova ka humbur arbitrazhin me “Contour Global”.

Mirëpo, nga ana tjetër, Haradinaj theksoi se projekti “Contour Global”, ka qenë një nga investimet më të mëdha që do të bëhej në Kosovë, dhe i cili do të hapte vende të punës, derisa u shpreh i bindur se me këtë projekt, Kosova do të fitonte stabilitet dhe pavarësi energjetike.

“Kriminelët kthehen shpesh në vendin e krimit, sepse nuk janë ndëshkuar. Kurti dhe e gjithë klika e tij që e kanë dështuar ‘Contour Global’ janë kriminelë, sepse e kanë dështuar një termocentral 500 megavat, dhe ende ne furnizohemi prej termocentrali mbi gjysmë shekulli të vjetër, që më shumë prodhojnë helm se energji”, tha Haradinaj.

Ish-kryeministri përmendi edhe kritikën që i është bërë këtij projekti: “Është megavati i shtrenjtë 84 euro”.

“Ne i kemi pasur kalkulimet atëherë se megavati do të shkojë mbi 100 euro, dhe ju e dini që Kosova ka blerë megavat 500 euro. Ne e kemi pasur të garantuar që për 25 vjet kurrë të mos rritej çmimi në Kosovë, pra 85 euro, dhe prodhimi i Kosovës të mos varej nga askush”, potencoi.

Ndonëse ka ndodhur pavarësimi energjetik, kreu i AAK-së përmendi faktin se Kosova vazhdon që të importojë energji, dhe atë nga kompani serbe.

“Në vitin 2016, kjo është një informatë, u lëshua në Stanari të Bosnjës termoelektrona EFT, termo pra me qymyr, rreth 400 megavat, me pronar Vuk Hamoviç. Kjo kompani, është partnere në biznes me GEN-in serb”, potencoi.

Ai rikujtoi se GEN-i serb është i njohur si partner për furnizim me energji për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e i cili është donator i Vetëvendosjes në zgjedhje.

“Edhe sot e kësaj dite, Kosova vazhdon të mbetet e varur nga energjia e Stanari, por edhe furnitorëve të tjerë, e GEN-it, pra vazhdon me ble energji prej tyre”.

“Edhe pse ka ndodhur pavarësimi energjik, pas katër vitesh të qeverisë Kurti, ende paguajmë energjinë e humbur në Veri, dhe ende importojmë po nga ta”, deklaroi ai ndër të tjera.

Qeveria ndan mbi 21 milionë euro “Contour Global”, Kurti: Mirë që projekti s’u realizua

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore