Haradinaj kujton masakrën e Belegut ku u vranë 49 shqiptarë

SHFLETO
albanianpost
29.03.2023 9:34
Loading Icons...

24 vjet më parë, më 29 mars të vitit 1999 në Beleg të Deçanit u vranë e masakruan 49 shqiptarë, nga forcat paramilitare serbe.

Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer në rajonin e Dukagjinit nga forcat ushtarake e policore serbe, të cilat më 1999 filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Irzniqit dhe Belegut, pasi një ditë më parë ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët dhe vazhdojnë të mbesin plagë që kullon në shpirtin tonë”, ka kujtuar Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmend një statusi në llogarinë e tij në Facebook.

“Kujtojmë po ashtu rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës”.

“Sakrifica e tyre dhe e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun tonë dhe të vazhdojmë angazhimin si shoqëri dhe shtet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta”, ka shkruar Haradinaj.

Beleg, Deçan

Nga ajo ditë fati i 33 të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjera të Komunës së Deçanit, mbetet ende i pazgjidhur.

Edhe pse ekipe të hetuesisë, së pari nga UNMIK-u, pastaj edhe nga EULEX-i, ishin marrë me rastin, duke mbledhur dëshmi të shumta, qoftë deklarata të dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të prezantuara edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, por edhe autopsinë e bërë të kufomave të krimit, ende nuk ka asnjë të arrestuar.