Kosova

Haradinaj kujton Deklaratën Universale: Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (1948), ka thënë se 10 dhjetori është një kujtim i rëndësishëm për Kosovën, pikërisht për shkak se kosovarët kanë përjetuar vetë shkeljen masive të të drejtave të njeriut nga regjimi pushtues jugosllav.

“Për ne si vend, kjo datë është një kujtim i rëndësishëm, pasi përjetuam cenime serioze të të drejtave tona nga sisteme autoritare dhe okupatore. Edhe sot, pas 15 vitesh nga pavarësia dhe afër 25 vjetësh prej çlirimit, jemi të përkushtuar për mbrojtjen e këtyre vlerave për të siguruar që dinjiteti i çdo qenie njerëzore është i paprekshëm”, ka shkruar ai.

Kreu i AAK-së ka thënë se Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, derisa ka kujtuar mbështetjen dhe intervenimin e NATO-së nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në mars të vitit 1999 për të siguruar liri dhe drejtësi për të gjithë njerëzit në Kosovë, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës.

“Sot, ne, si një shtet i pavarur e demokratik, vazhdojmë rrugën tonë drejt një të ardhmeje ku drejtësia dhe respekti ndaj të drejtave të njeriut janë të garantuara dhe mbrojtura si vlera themelore, duke përfshirë këtë Deklaratë në Kushtetutën tonë”, ka përfunduar ish-kryeministri kosovar.

Në deklaratën e Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) janë spikatur parimet universale, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive të njeriut, legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut dhe institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore