Lajme

Haradinaj: Kosova në 2024 do të hyjë me 58 milionë euro më pak për armatim


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Është mahnitëse gatishmëria e të rinjve tanë për të shërbyer për Atdheun”, ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka uruar ushtarët e rinj të FSK-së për certifikimin e tyre.

Por, që sipas tij këta ushtarë nuk po trajtohen në mënyrë të dinjitetshme.

“Me përkushtim të madh, kam qenë gjithmonë në përkrahje të Forcave të Sigurisë, e po me atë përkushtim, ngritëm statusin e Forcës në Ushtri, me përkrahje të aleatëve. Por, sot ndjehem i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të Forcës nga qeveria aktuale”.

“Me dhjetëra miliona euro të buxhetit, u humbën këtë vit, për shkak të papërgjegjësisë qeveritare”.

Sipas tij, Kosova në vitin 2024 do të ketë mbi 50 milionë euro më pak për pajisje të armatimit.

“Këto veprime të Qeverisë, cungojnë kapacitetet tona të sigurisë. Kosova do të hyjë në vitin që po vjen, me 58 milionë euro më pak armatim, municion e mjete ushtarake. Përpos vullnetit qytetar për të shërbyer, siguria e vendit kërkon përkushtim madhor dhe serioz të qeverisë”.

Kryeministri i i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së certifikimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka deklaruar se ushtria po rritet me të rinj që duan t’i shërbejnë atdheut.

Kurti, në fjalimin e tij ka vlerësuar rolin e ushtrisë për shërbimin ndaj atdheut.

“Ushtria po rritet dhe do të zhvillohet në vazhdimësi me të rinj e të reja, si ju që duan t’i shërbejnë atdheut pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Sipas kreut të ekzekutivit, grupi që do ta nisin detyrën nga sot prej 325 ushtarësh, është më i madhi në FSK.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka deklaruar se ndjehet krenare që ata janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 28 dhjetor, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe gjenerali Bashkim Jashari i kanë dekoruar me mirënjohje dhe medalje pjesëtarët të cilët janë dalluar nga stafi ushtarak dhe civil të MM-FSK-së.

FSK-ja përbëhet nga 10 mijë ushtarë aktivë dhe nga 5 mijë rezervistë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore