Lajme

Haradinaj kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës nga ana e BE-së


Tomas Szunyog dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën ka takuar Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ndërsa ka ritheksuar nevojën e domosdoshme të largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në një postim në platformën sociale, Facebook, Haradinaj, ndër të tjera ka theksuar se AAK do të votojë Marrëveshjet Ndërkombëtare të cilat një kohë të gjatë janë të bllokuar në Kuvendin e Kosovës meqë partitë opozitare po refuzojnë të marrin pjesë në votim.

“Në takim ritheksova domosdoshmërinë e largimit të sanksioneve nga ana e BE-së ndaj Kosovës, për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe integrimit evropian. Konfirmova se Aleanca do të votojë Marrëveshjet Ndërkombëtare ndërsa shpreha brengosjen për stagnimin e Kosovës në proceset integruese”, ka shkruar ai.

Ish-kryeministri i Kosovës ka theksuar ndër të tjera se për AAK-në, integrimi euro-atlantik është objektivi kryesor strategjik, rrugëtim ky që duhet të kulmojë me anëtarësim në NATO dhe BE.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe diplomati çek i cili ndër të tjera ka njoftuar se me Haradinaj ka diskutuar rëndësinë e partive opozitare për nxitjen e stabilitetin, progresit dhe demokracisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore