Lajme

Haradinaj kërkon ditë zie për vdekjen e senatorit Bob Dole


Ramush Haradinaj bën homazhe pranë bustit të senatorit Bob Dole në Prishtinë.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të shpallin ditë zie në nderim të senatorit Bob Dole.

Ndërsa, të mërkurën ka bërë homazhe pranë bustit të tij në Prishtinë.

“Përulje me respekt para veprës heroike të Senatorit Bob Dole. Propozoj që institucionet e Kosovës, të shpallin ditë zie në nderim të tij”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Po ashtu, më 6 dhjetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të shoqëruar edhe me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, kanë vendosur kurora lulesh pranë bustit të ish-senatorit amerikan Bob Dole në Prishtinë.

Krerët institucionalë duke bërë homazhe tek busti i Bob Dole.

Bob Dole, ligjvënësi shumëvjeçar që tejkaloi plagët e rënda të Luftës së Dytë Botërore për t’u bërë ruajtësi i Partisë Republikane, vdiq në gjumë në moshën 98-vjeçare, gjatë ditës së diel.

Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë të dielën.

“Me zemër të rëndë njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq këtë mëngjes herët në gjumë”, shkruhet në njoftim.

“Në vdekjen e tij, në moshën 98-vjeçare, ai i kishte shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet.”

Bob Dole

Ndryshe edhe të hënën me një minutë heshtje ka filluar seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës, për të nderuar njeriun që kontribuoi lirisë së Kosovës, senatorin amerikan, Bob Dole, i cili vdiq në gjumë në moshën 98 vjeçare.

Kryekuvendari Konjufca, ka thënë se vepra e tij dhe kontributi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës mbeten të paharrueshme.

Derisa të gjithë deputetët janë ngritur në këmbë në nderë të senatorit Dole, Lista Serbe ka qëndruar ulur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore