Kosova

Haradinaj e njofton Hovenier-in për vizitën në ShBA: Aleanca mes dy vendeve është e përjetshme


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe e ka njoftuar diplomatin amerikan për vizitën e tij në ShBA gjatë këtij muaji.

“Prita në selinë Aleancës, ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vend. Ambasadorin Hovenier e falënderova personalisht për angazhimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në mbështetje të vizitës që realizova në Amerikë” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kreu i AAK-së ka theksuar se Hovenier-in “e njoftova për temat e diskutimit gjatë takimeve që kisha në Departament të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Pentagon, Kongres dhe Senat, ku kërkova që dialogu strategjik Kosovë-Amerikë të shtrihet në marrëdhënie bilaterale dhe të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO”.

“Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pa ndalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, potencoi deputeti i AAK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore