Lajme

Haradinaj: Dokumentet e publikuara janë përgjegjësi vetëm e prokurorisë


Nasim Haradinaj

Nasim Haradinaj para trupit gjykues të Gjykatës Speciale gjatë dëshmisë së tij të së mërkurës ka deklaruar se është faji i Prokurorisë Speciale që dokumentet e rrjedhura janë publikuar dhe se nuk është përgjegjësi e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Ai ka thënë se detyrë e udhëheqësve të OVL-UÇK-së ishte dhe është që të i tregonte publikut se çfarë ju ka shkuar në zyrat e tyre, por pa treguar detaje në dokumentacion, sepse është dhe ishte në interes të publikut.

“Është faji juaj që dokumentet kanë dal në publik, në opinion”, ka thënë Haradinaj.

Rasti për çështjen e dëshmitarëve është rikthyer përsëri në diskutim, pas një videoje të publikuar në seancë ku shihet se si Haradinaj dhe avokati Tom Gashi flasin për ketë çështje gjatë një interviste në një medium në Kosovë.

Haradinaj gjatë dëshmisë së tij ka thënë se prokuroria speciale e di se kush janë dëshmitarët dhe se OVL-UÇK dhe ai vet nuk kanë pasur për qëllim të dëmtojnë asnjë dëshmitarë.

“Emrat e dëshmitarëve i din ti personalisht bashkë me shokët e tu”, i ka thënë Haradinaj prokurorit.

Në atë video flitet edhe për disa dokumente, në lidhje me ketë prokurori ka pyetur Haradinajn nëse këto dokumente janë ato që janë dërguar në OVL.

Lidhur më këtë pyetje Haradinaj ka thënë se nuk i komenton deklaratat e avokatit Gashi i cili në panel ishte në cilësinë e avokatit dhe analistit.

“Zotëri Gashi vjen këtu për të dhënë dëshmi, kur të vjen, ju mund ta pyetni vetë atë, unë nuk jap komente për deklaratat e tij”, ka thënë Haradinaj.

Nasim Haradinaj

Haradinaj ka thënë se nuk kanë qenë kundër formimit të Dhomave të Specializuara, por që ata kanë qenë kundër formës se si është krijuar kjo.

“Ne kemi kërkuar që të futet ligji që këto dhomat e specializua që të ndjekin të gjitha krimet e kryera në Kosovë pavarësisht nga kush janë kryer krimet”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se Prokuroria Speciale e ka shkatërruar vetveten dhe se dëmet i kanë krijuar ata vet me fajin e tyre ose qëllimin e tyre.

Njëri nga prokurorët special

Haradinaj tutje është shprehur gjatë pyetjeve që i ka bërë prokuroria se Gjykata Speciale në formatin si është aktualisht është gjykatë selektive, andaj ai dhe organizata e veteranëve të luftës ka kërkuar nga Kuvendi që ligjin mbi themelimin e gjykatës të futet edhe një amendament ku thuhet se “të gjithë ata që kanë kryer krime në Kosovë të jenë objekt i gjykimit” nga gjykata, e jo vetëm një “target”, pra “vetëm ata që ishin në UÇK”.

Andaj sipas tij, deri sa kjo nuk ndryshon, ai konsideron se kjo gjykatë është e anshme, për më tepër ai ka thënë se koordinatori i Prokurorisë Speciale është njeri i Millosheviçit.

Në pyetjen e prokurorit që i është bërë Haradinajt se a është ai për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, Haradinaj ka thënë se ai është për përmirësimi e gjykatës, pra që “të gjykoj të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë” në të kundërtën për të kjo gjykatë është e anshme dhe pro idesë së Milosheviçit dhe rrjedhimisht nëse “ju pranoni se jeni gjykatë që bashkëpunoni me regjimin dhe njerëzit e Milosheviçit, atëherë “po u them këtu se unë do të jem gjithmonë kundër kësaj gjykate” dhe se për këtë “mund të dënoni”.

Mirëpo, nëse jeni për drejtësi, unë jam për të drejtën andaj po kërkoj që të gjykohen të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë, ka thënë Haradinaj.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator të vitit 2020, prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore