Lajme

Haradinaj dënon sulmet ndaj policëve të rinj serbë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se presionet dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera në Veri, që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, janë të papranueshme dhe përpjekje për të sabotuar depërshkallëzimin dhe qetësimin e situatës”.

“Pjesëtarët e komuniteteve pakicë, përfshirë këtu edhe serbët, duhet të lejohen të lirë në realizimin e të drejtave të tyre qytetare”, theksoi ai.

Qytetarët serbë, pohoi kreu i AAK-së, “dhe çdo pjesëtar i komuniteteve pakicë duhet ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre dhe të integrohen plotësisht në institucionet e Kosovës!”.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale, duke potencuar se të njëjtat vijnë nga Serbia dhe strukturat e saj kriminale.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani tha se i dënon kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës “nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale”.

“Policia jonë është profesionale dhe multietnike”.

Kjo fushatë, pohon e para vendit, “duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë”.

“Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”, përfundoi ajo.

Ndryshe, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka shprehur shqetësimin lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.

Të hënën e kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, përfshirë 45 nga komuniteti serb, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të këtij muaji, megjithatë shefi i EULEX-it e ka cilësuar si të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi ndaj tyre.

“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij.

Reagim ka pasur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Duke shpërndarë postimin e shefit të EULEX-it, Rohde tha se është “plotësisht dakord” me ato që Barbano i ka theksuar.

“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese”, shkroi Rohde në Twitter, duke shtuar se “duhet të ndalet menjëherë”.

Policët e rinj, pohon ambasadori, “nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”.

Ndërsa, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ndarë shqetësimet e njëjta me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier tha se kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës “janë krejtësisht të papranueshme”.

“Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, theksoi diplomati amerikan.

Osmani: Kërcënimet ndaj policëve vijnë nga Serbia dhe strukturat e saj kriminale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore