Kosova

Haradinaj: Albin, a je me prokurorin a me Mujecin?


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar pyetje në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, për mosreagimin e tij lidhur me arrestimin e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, i dyshuar për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri.

“Albin, a je me prokurorin a me Mujecin?”, pyeti Haradinaj Kurtin përmes një postimi në Facebook.

Kreu i AAK-së i tha shefit të qeverisë kosovare “bëhu i gjallë!”, kjo pasi që i njëjti ende nuk reaguar për arrestimin e asamblistit të partisë së tij.

Të hënën Policia e Shqipërisë ka arrestuar asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin, për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.

Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që transportonte lëndë narkotike drejt Shqipërisë.

Mujeci përndryshe është i emëruar aksionar në Ndërmarrjen publike ‘Stacioni i Autobusëve’.

Ishte pikërisht autobusi, mjeti me të cilin Mujeci transportonte lëndët narkotike.

Lënda narkotike me të cilën është kapur Mujeci është ekstazi.

Siç ka treguar policia shqiptare “të arrestuarit janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 mijë e 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”.

Lexo edhe këtë: U kap me 11 mijë doza ekstazi – Shumë reagime për arrestimin e asamblistit të Vetëvendosje

Ndërsa, Albanian Post të martën rreth orës 11:00 për herë të parë publikoj lajmin se asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është arrestuar në Shqipëri pasi është zënë duke transportuar dhe shitur lëndë narkotike nga Kosova për në Shqipëri, por vetëm pas 6 orësh Lëvizja Vetëvendosje ka dalur me një qëndrim duke njoftuar përjashtimin e tij nga partia.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë të ditur se Komisioni Disiplinor i LVV-së pas trajtimit të rastit të anëtarit të saj ka përjashtuar nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin.

“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asamblistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Disiplinor i LVV-së menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Rama.

Sipas tij LVV-ja mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme janë absolutisht të patolerushme dhe do të luftohen e ndëshkohen.

Për këtë rast ende nuk ka pasur reagim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, respektivisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Asamblisti i VV-së arrestohet në Shqipëri, transportonte dhe shiste lëndë narkotike nga Kosova në Tiranë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore