Kosova

Hapja e Urës së Ibrit, shans i ri për lidhje dhe/apo rritje tensionesh?


Foto: Albanian Post.

Për më shumë se dy dekada Ura e Ibrit gjithmonë është parë si simbol i ndarjes etnike në Mitrovicë.

Ndonëse përpjekjet për hapjen e urës datojnë qysh herët, gjithmonë të njëjtat kanë hasur në sfida të ndryshme ndër vite.

Një mundësi e re për ta hapur Urën e Ibrit është rikthyer nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, por prapë me kundërshtime nga ndërkombëtaret, pasi kjo “mund të dërgojë në tensione të reja”.

Prandaj, të gjitha veprimet po kërkohen të merren në kuadër të dialogut, në të kundërtën çdo hap tjetër do të konsiderohet si “veprim i njëanshëm” i Kosovës, është thënë nga ndërkombëtarët.

Pikërish këto kundërshtime dhe mundësia për tensione të reja kanë bërë që hapja e plotë (për mjete motorike) të mos realizohej ndër vite, megjithatë shansi i ri për ta hapur Urën e Ibrit për qarkullimin e automjeteve po vlerësohet si pozitiv nga këndvështrimi i analisteve politikë.

“Nëse ura hapet, të mos mbyllet më”

Ligjëruesi i shkencave politike, Dritëro Arifi, në një bisedë për Albanian Post thotë se duhet të ketë përgatitje në nivelin e duhur në rast se pushteti dëshiron që ta marrë këtë vendim.

Sipas tij, një vendim për hapjen e urës s’duhet ta rrezikojë atë që të mbyllet sërish.

“Vendimi është pozitiv, por esenca është që duhet të parapërgatitet gjithçka mirë, që kur të hapet mos të mbyllet më”, thotë Arifi për Albnaian Post.

Për këtë arsye ai kërkon nga udhëheqësit që të ua sqarojnë ndërkombëtareve arsyet përse duhet hapur ura.

“Duhet lobuar, argumentuar edhe tek partnerët ndërkombëtarë edhe tek komuniteti serb që hapja e urës do të thotë komunikim, bashkëpunim. Domethënë urat kanë simbolikën e bashkëpunimit në lidhjen e komuniteteve, etnive, bizneseve, kulturës, pra duhet të jemi më diplomatikë”.

Ura e Ibrit.

Arifi nuk sheh mundësi për tensione të reja ose të paktën potencon se ky vendim s’do të duhej t’i nxiste ato.

“Ky vendim nuk rritë tensionet dhe nuk do të duhej të bëjë tensionimin, por ta bëjë të kundërtën e saj, ta shtensionoj situatën, sepse në njëfarë mënyre për të dyja palët do të shihet si një urë në kuptimin figurativ edhe e bashkëpunimit edhe e kujdesit edhe ndaj qytetarëve serbë atje”.

“Të bëhet realitet, s’duhet të ketë tensione”

Ndërsa, analisti politik Fidan Ukaj, thekson se është e qartë që Serbia s’dëshiron hapjen e urës.

Por, meqë është bërë një premtim edhe nga Bashkimi Evropian për hapjen e saj, do të duhej të mbahej.

“Serbia patjetër që është e interesuar që Ura e Ibrit të mos hapet asnjëherë, por se një zotim për hapjen e Urës së Ibrit e kishte bërë edhe vetë Bashkimi Evropian, që pas renovimit që do të bëhej në këtë urë e njëjta do të hapej – ndonëse ky proces s’ka ndodhur akoma”, thotë Ukaj për Albanian Post.

Kërkesë e tij është që pushteti të mos e bëjë vetëm çështje të riaktualizuar, por ta bëjë realitet hapjen e Urës së Ibrit.

“Qeveria e Kosovës, duhet ta bëjë realitet hapjen e Urës së Ibrit dhe nuk pres të ketë tensione ne terren”.

Ura e Ibrit.

Në këtë rast ai thotë se do të mund të bëheshin vetëm drama nga ana e Serbisë – ngjashëm sikurse për çështjen e dinarit.

“Më shumë pres të ketë përpjekje për tensione e dramatizim të çështjes nga ana e Serbisë ashtu siç bëri me dinarin”, shton ai.

Cilat ishin përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit?

Përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit ishin bërë për katër herë radhazi.

Një hap i parë ishte bërë para më shumë se dy dekadash.

Në vitin 2001, pas përfundimit të luftës, pati përpjekje fillestare për të hapur urën për të mundësuar lirinë e lëvizjes ndërmjet dy komuniteteve, por tensionet mbetën të larta dhe ura u mbyll përsëri shpejt.

Një moment i rëndësishëm për hapjen e Urës së Ibrit, ishte në vitin 2013, atëherë kur edhe u arrit Marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje përfshinte edhe hapjen e Urës së Ibrit, si pjesë e një plani më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe integrimin e komuniteteve të ndara në Mitrovicë.

Largimi i barrikadave nga Ura e Ibrit në vitin 2016.

Por, në vitin 2014, barrikadat janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”.

Ndërkaq, në vitin 2015 filloi projekti i Urës së Mitrovicës, i cili u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe përfshinte krijimin e një zone për këmbësor, kjo përpjekje ishte një pjesë e rëndësishme e planit për të integruar komunitetet e ndara dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ky “park” është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.

Në vitin 2016 ura u hap për këmbësorët.

Çka po kërkojnë ndërkombëtarët?

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana, tha për Albanian Post se çdo vendim lidhur me urën mbi lumin Ibër duhet të merret pas negociatave në dialogun e ndërmjetësuar nga Unioni.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik”.

“Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lachana për AP.

Lachana, ndër të tjera, ka potencuar se BE-ja kërkon si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dala nga procesi i dialogut të Brukselit pa vonesë, përfshirë edhe Marrëveshjen për Urën mbi lumin Ibër.

Flamuri i Kosovës.

Të ngjashme e pati kërkesën edhe misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, kanë thënë nga KFOR-i.

Për ruajtjen e paqes e stabilitetit apeloi edhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, duke potencuar se Kosova s’duhet të marrë veprime të njëanshme për sa i përket hapjes së Urës së Ibrit.

“Veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet, të rrezikojnë stabilitetin dhe të minojnë besimin midis komuniteteve duhet të shmangen. Çështjet e pazgjidhura, përfshirë planet për të rihapur urën e Ibrit të Mitrovicës për automjete, duhet të zgjidhen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ajo.

Çështja e hapjes për qarkullim të automjeteve në urën mbi lumin Ibër u riaktualizua të mërkurën, pasi që zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se ura shumë shpejt do të hapet.

“Nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, tha Elshani.

KFOR-i në Veri.

Vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç.

Me t’u riaktualizuar kjo temë, pra pas deklaratës së Elshanit, të partë që reaguan ishin, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Ashtu edhe siç pritej, përmes një komunikate për media, nga partia që kontrollohet nga Serbia, kanë thënë se një veprim i tillë është i papranueshëm, dhe, sipas tyre, përshkallëzon situatën.

“Njoftimi i regjimit të Albin Kurtit se planifikon të hapë urën kryesore të qytetit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve është një veprim absolutisht i panevojshëm, i papranueshëm dhe përshkallëzues që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”, kanë propaganduar nga Lista Serbe.

Nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, njoftuan se hapja për qarkullimin e urës mbi lumin Ibër, do të bëht gjatë verës, meqë sipas vlerësimeve të tyre potenciali për trazira është zvogëluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore