Kosova

Hapet uebfaqja për të aplikuar për marrjen e 100 eurove nga Qeveria


Ilustrim.

Të enjten e 21 prillit, është hapur uebfaqja në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës për të aplikuar punëtorët e sektorit privat për të përfituar nga 100 euro, në kuadër të pakos së fundit të Qeverisë.

Aplikimi për mbështetje do të bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale të punësuarit në: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim?fbclid=IwAR1n8HDvZso8fBwhI-G0iSCivi5N7mwEujhufof5Cywds9Ezt547nxP9y8w

Me sqarim lidhur me këtë çështje ka dalur edhe Qeveria e Kosovës.

“Të dhënat duhet të jenë të sakta dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi”.

“Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022”.

“Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”.

Foto nga: Qeveria e Kosovës.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e Përbashkët me Ministrin e Financave, Hekuran Muratin, prezantoi masat e reja që ka ndërmarrë Qeveria në kuadër të pakos për ringjalljen ekonomike.

“Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit e kështu me radhë”, tha Kurti.

Për të gjitha familjet të cilat janë nën masën e asistencës sociale, shuma e parave që ata marrin do të dyfishohet poashtu përgjatë muajit prill.

“Për herë të parë”, siç potencoi kryeministri, “do të mbështesim me shumë të njëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“E në kuadër të kësaj mbështetje për të punësuarit do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publik”.

“Për herë të parë po ashtu”, ritheksoi kryeministri në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike, qeveria e tij do të ndajë për “të gjithë studentët e republikës një shumë të njëhershme prej 100 euro”.

“Nga kjo mbështetje do të përfitojnë rreth 80 mijë student”.

Për shtresat e varfra, kryeministri tha se janë duke vazhduar të shpërndajnë  40 mijë pako ushqimore dhe do të vazhdojnë “mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore”.

“Vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milion euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti.

Në anën tjetër Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se përfitues nga kjo pako ekonomike do të jenë të gjitha kategoritë të cilët janë përballur me vështërsi ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore