Lajme

Hapet rruga për zgjerimin e ndikimit për Kinën dhe Rusinë në Afganistan


Ilustrim

Marrja e pushtetit nga ana e kryengritësve talebanë në Afganistan ka ndryshuar hartën gjeopolitkie të Azisë duke i dhënë Kinës dhe Rusisë – rivalët më të fortë strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës- një mundësi për të projektuar fuqinë e tyre në këtë vend.

”Kina ka përfituar nga sjellja e papërgjegjshme e SHBA-së pasi kjo e fundit i ka tërhequr forcat ushtarake nga Afganistani”, ka thënë këshilltari i qeverisë kineze për Azinë Qendrore, Zhu Yongbiao, raporton prestigjiozja angleze, Financial Times.

Në anën tjetër, edhe analisti politik dhe eksperti i Azisë Qendrore në Moskë, e kishte të njëjtin qëndrim.

”Rusia mund të harmonizoj interesa e saj me Kinën në kundërshtim me SHBA-të” duke shtuar se  ”Ajo që është e mirë për ne është e keqe për amerikanët, Ajo që është e keqe për ne është e mirë për amerikanët. Sot situata është e keqe për amerikanët dhe kështu është e mirë për ne”.

Diplomatët dhe ekspertët kishin parashikuar se Kina e mbështetur potencialisht nga Rusia, Pakistani dhe disa qeveri të tjera do të ndjek një qasje shumë më ndryshe në Afganistan duke përdorur kanale diplomatike dhe ekonomike për të nxitur talibanët, pasi që Pekini nuk kishte gjasa të vendoste forca ushtarake në këtë vend.

“Ne shpresojmë se talibanët e Afganistanit kanë bashkuar të gjitha palët dhe po krijojnë një kornizë politike që plotëson kushtet kombëtare të Afganistanit dhe hedh një themel për paqen afatgjatë në këtë ven,” tha Geng Shuang, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Diplomatët aziatikë të cilët refuzuan të identifikohen kanë deklaruar se Pekini ishte i gatshëm të grumbullojë qindra miliona dollarë për të financuar rindërtimin e infrastrukturës në Afganistan.

Pekini do të ishte i gatshëm t’i japë njohjen zyrtare talibanëve si qeveri legjitime të Afganistanit. Për më tepër, “mund të punojë në OKB për të kërkuar përfundimin e emërimit të talibanëve si një organizatë terroriste”, megjithëse “arritja e kësaj do të kërkonte bashkëpunimin amerikan” kanë thënë diplomatët duke e konsideruar këtë proces si të komplikuar dhe që kërkon shumë kohë.

Por Pekini e kishte të qartë se dhënia e nxitjeve të tilla talibanëve do të varej se sa ata (Talibanët) do të respektonin Kinën.

Fan Hongda, një studiues i Lindjes së Mesme në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Shangait, ka thënë se pas takimeve të fundit të nivelit të lartë, talibanët duhet të kuptojnë plotësisht qëndrimin e Kinës. Prioriteti më i rëndësishëm për Kinën është sigurimi që Afganistani të mos bëhej një “vatër” për forcat terroriste që mund ta kërcënojnë Kinën.

Kryesorja e shqetësimeve të tilla ishin grupe të tilla si Lëvizja Islamiste e Turkestanit Lindore, e cila përbëhet nga luftëtarë ujgur që kundërshtojnë Kinën në kufirin veriperëndimor Xinjiang, ku Pekini ka ndaluar rreth 1 milion ujgur dhe popuj të tjerë pakicë myslimanë në kampe internimi.

Ministri i Jashtëm Kinez, Wang Yi, gjatë korrikut të këtij viti kishte takuar kreun politik të Talibanëve, Abdul Ghani Baradar, duke u dakorduar për të përputhur me kërkesat e Kinës.

“Talibanët kanë sinqeritetin më të madh për të punuar drejt dhe për të realizuar paqen” ka thënë Yi pas takimit duke shtuar se “Talibanët nuk do të lejojnë kurrë asnjë forcë të përdorë territorin afgan për t’u përfshirë në akte të dëmshme për Kinën. Talibanët besojnë se Afganistani duhet të zhvillojë marrëdhënie miqësore me vendet fqinje dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Në anën tjetër Rusia duhet të kënaqë talibanët dhe palët që kanë kontrollin mbi të, përkatësisht Kinën dhe Pakistani, ka thënë Andrey Serenko, kreu i Qendrës së Studimeve Afgane.

“Me shumë mundësi Rusia do të duhet të bashkëpunojë me Kinën. Kina i ka të gjitha kartat e Afganistanit tani. Ajo ndikon në Pakistan dhe mban pozicionin e saj brenda Afganistanit”, ka shtuar ai.

“Pra, strategjia ruse në lidhje me Afganistanin tani do të varet nga Kina, ajo do të përshtatet me Kinën gjithnjë e më shumë.”

Forcat amerikane ishin larguar nga bazat e tyre kryesore ushtarake në Afganistan, një muaj më parë pas qëndrimit për dy dekada në këtë vend.

Pas largimit të forcave amerikane nga ky vend, Talebanët kanë marrë nën kontroll gati tërë territorin e Afganistanit.

Ndërsa Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua më 15 gusht nga vendi për në Taxhikistan dhe qeveria e tij u rrëzua teksa militantët talebanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Pas marrjes së pushtetit nga Talebanët, shtetet perëndimor përfshirë edhe SHBA-të, kanë evakuuar personelin diplomatik nga ambasadat e tyre përkatëse.

Në anën tjetër në kryeqytetin Kabul të Afganistanit momentalisht janë duke vepruar vetëm tri ambasada të huaja, ajo e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore