Lajme

Hapat e nevojshëm ditorë për të ulur rrezikun e demencës


Duhen nga 3 mijë e 800 deri në 9 mijë e 800 hapa çdo ditë për të reduktuar rrezikun nga demenca, sipas një studimi të ri.

Njerëzit midis moshës 40 dhe 79 vjeç që bëjnë 9 mijë e 826 hapa në ditë kanë 50 për qind më pak të ngjarë të kenë demencë brenda shtatë viteve.

Kurse njerëzit që ecnin me një ritëm mbi 40 hapa në minutë janë në gjendje të ulin rrezikun e demencës me 57 për qind me vetëm 6 mijë e 315 hapa në ditë.

“Është një aktivitet ecjeje i shpejtë, si një ecje me fuqi”, ka thënë bashkautori i studimit Borja del Pozo Cruz, një profesor i asociuar në Universitetin e Danimarkës Jugore në Odense.

Studimi zbuloi po ashtu se edhe njerëzit që ecin afërsisht 3 mijë e 800 hapa në ditë me çdo shpejtësi, ulin rrezikun e demencës me 25 për qind.

“Është një mesazh që mjekët mund ta përdorin për të motivuar të rriturit që rrinë shumë ulur, katër mijë hapa është shumë e realizueshme nga shumë njerëz, madje edhe për ata që janë më pak të aftë ose nuk ndihen shumë të motivuar”, ka thënë ai.

Dhe se, për njerëzit më aktivë, ai sugjeron që ky limit të çohet në dhjetë mijë, ku janë parë edhe efekte maksimale gjatë studimit.

Sakaq, reduktimi më i madh i rrezikut të demencës prej 62 për qind u arrit nga njerëzit që ecnin me një ritëm shumë të shpejtë prej 112 hapash në minutë për 30 minuta në ditë.

Prandaj dhe rekomandohet që individët që kërkojnë të reduktojnë rrezikun e demencës të përqendrohen në ritmin e tyre të ecjes në distancën e tyre në këmbë.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore