Kosova

Hamza me plan për rritjen e pagave: Objektivat arrihen në bashkëpunim aleatët dhe jo nëse izolohemi nga bota


Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, pas takimit me ambasadorin Daniel Fried, i cili ishte Ndihmës Sekretar i Shtetit kur Kosova shpalli pavarësinë, si dhe me eksperten e lartë për NATO-n, Rachel Rizzo, tha se plani i tij është i fokusuar në rritjen e ekonomike dhe të pagave.

“Plani im për qytetarët e Kosovës është i qartë dhe i fokusuar në rritjen ekonomike, rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies. Këto objektiva të përbashkëta mund të arrihen vetëm në bashkëpunim me miqtë e aleatët dhe jo nëse izolohemi nga bota”, shkroi Hamza në Facebook.

Ai ka theksuar se me Fried dhe Rizzo ka biseduar për situatën aktuale në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria e ardhshme për ta kthyer vendin në rrugën e anëtarësimit të shpejtë në NATO.

“Aleatët dhe miqtë e Kosovës janë të shumtë në kryeqytetin e Amerikës dhe të botës së lirë”, potencoi Hamza.

Paraprakisht, Hamza takoi diplomatin e lartë amerikan, Michael Carpenter, njëherësh Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK) dhe Asistent Special i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, por edhe Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Qendrore të KSK-së, Kathleen Larkin.

Vizita e kandidatit të PDK-së vjen në kohën kur marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës janë pothuajse në gradën e fundit, posaçërisht për shkak të refuzimit të kryeministrin kosovar, Albin Kurti, që t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave dhe këshillave të SHBA-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore