Hamza pyetet për koalicion me LVV-në: Jo nëse s’e kemi kryeministrin

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se vendosja e “vijave të kuqe” nuk është e shëndetshme
SHFLETO

Bedri Hamza

 

Valon Rashiti
26.09.2024 22:36
Loading Icons...

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nuk se nuk ka “vija të kuqe” për ndonjë koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, po ka theksuar se koalicioni i preferuar për të është me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Koalicion me LVV-në, jo në situatën kur PDK-ja se ka kryeministrin. Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit dhe koncepteve politike janë partitë opozitare, Lidhja Demokratike të Kosovës. Me vendos vija të kuqe nuk është e shëndetshme”, tha Hamza gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

“Të gjitha partitë janë të Kosovës. Partitë i votojnë qytetarët e Kosovës. Nuk jam prej atyre që thonë vetëm ata që e votojnë PDK-në janë të mirë. E them që ka njerëz të mirë edhe ne PDK, edhe në LDK, edhe LVV, edhe në partitë tjera. Nuk jam prej atyre që; nëse je me mua je i mirë e nëse nuk je me mua je i keq”, shtoi.

Gjatë kësaj interviste, ai ka adresuar kritika drejtë Qeverisë Kurti. Hamza shprehu shqetësimin se vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë progres domethënës në dialog dhe në disa segmente është vërejtur regres.

“Viteve të fundit nuk është që ka pasur ndonjë progres domethënës në dialog… nuk thashë që nuk ka asnjë arritje, po progres domethënës. Përkundrazi në segmente të caktuar kemi lëvizur në regres”.

“Si shtet duhet të sillemi të përgjegjshëm. Me vetëdije që dialogu nuk është proces populist që shumë ta jep hapësirën me konvertu në votë, nëse dëshiron me qenë korrekt me interesin e shtetit. Për mua prioritet janë të qarta; interesi i shtetit, partitë politike dhe pastaj individë brenda partive”, potencoi Hamza.

Tutje, kandidati për kryeministër i PDK-së theksoi se Ligji i Pagave është i padrejtë dhe duhet të rishikohet.

“Kjo duhet të rregullohet dhe duhet të rriten pagat. Unë do të dalë me përqindje të pagave dhe sigurisht atë që e them edhe i rri mbrapa”, potencoi ai.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Ato do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021. Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.