Lajme

Hamasi raporton 241 të vrarë në Gaza brenda 24 orëve


Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, ka bërë me dije se të paktën 241 persona janë vrarë në 24 orët e fundit.

Ndërkohë, operacioni ushtarak i Izraelit vazhdon në territor.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e ka quajtur luftën një “krim të rëndë” kundër popullit të tij.

Sakaq, shefi i ushtrisë izraelite Herzi Halevi ka thënë se konflikti me Hamasin do të vazhdojë edhe për “shumë muaj të tjerë”.

Izraeli thotë se ka goditur më shumë se 100 vende të martën, mes raporteve për operacione të afërta tokësore në Gazën qendrore.

Shpërthime të forta dëgjoheshin nga Rripi i Gazës në të gjithë perimetrin me Izraelin në orët e para të së mërkurës.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar, burimet mjekësore palestineze thonë se gjashtë palestinezë u vranë në një sulm izraelit me dron gjatë natës në kampin e refugjatëve Nur Shams në Tulkarem.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka njoftuar se 382 persona ishin lënduar gjithashtu gjatë të njëjtave 24 orë.

Sipas ministrisë, të paktën 20 mijë e 915 palestinezë janë vrarë – kryesisht fëmijë dhe gra – në më shumë se 11 javë luftime.

Lufta filloi më 7 tetor pasi Hamasi udhëhoqi një valë sulmesh vdekjeprurëse ndaj komuniteteve brenda Izraelit.

Rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë.

Rreth 240 persona u kthyen në Gaza si pengje dhe një numër prej tyre u liruan më vonë.

Presidenti Abbas e ka përshkruar luftën në Rripin e Gazës si “përtej një katastrofe dhe përtej një lufte asgjësimi”.

Ai e ka quajtur atë të paprecedentë në historinë e popullit palestinez.

Po ashtu ka paralajmëruar se Bregu Perëndimor i pushtuar mund të shpërthejë në çdo kohë.

Udhëheqësi palestinez ka akuzuar ndërkohë Washingtonin për zgjatjen e luftës duke vënë veton ndaj projekt-rezolutave të OKB-së që bëjnë thirrje për një armëpushim.

Ndërkaq, mediat izraelite dhe arabe thonë se Egjipti ka propozuar një plan për një armëpushim.

Sipas raporteve, plani do të shihte lirimin me faza të të gjithë pengjeve izraelitë dhe një numri të papërcaktuar të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, duke përfunduar me një pezullim të ofensivës së Izraelit.

Një marrëveshje e mëparshme e përkohshme armëpushimi e negociuar nga Katari bëri që dhjetëra pengje të liroheshin nga Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Deri më tani, Izraeli dhe Hamasi i kanë rezistuar thirrjeve për një armëpushim të qëndrueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore