Kosova

Opozita dhe shoqëria civile reagojnë për suspendimin e policit: Qeveria po tenton ta heshtë kritikën


Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar ndaj suspendimit të policit Amir Hoxha.

Sipas Halimit kjo tendencë për të heshtur kritikën është cenim i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes.

Sibel Halimi, LDK

“Tendenca për ta heshtur kritikën, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, përveç se është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, është cenim i madh i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes”, ka shkruar Halimi në rrjetin social Facebook.

Sipas saj, Qeveria përmes institucioneve të saj po “kujdeset” të disiplinoj dhe kontrolloj.

“Në vend se kjo qeveri të kujdeset për sigurimin e kushteve të dinjitetshme për Policinë e Kosovës, ajo po kujdeset që t’i mbajë të nënshtruar nëpërmjet disiplinimit dhe kontrollit të tyre”, ka shkruar Halimi.

 

Kuçi: Policët duhet suspenduar kur bëhen vegël e pushtetit, jo kur kërkojnë kushte të dinjitetshme

Edhe zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Natyra Kuçi ka reaguar për suspendimin e policit Amir Hoxha vetëm pse ky i fundit me anë të një postimi në Facebook kritikoi deputetët për shpenzimet.

Kuçi ka thënë se suspendimi nuk guxon të ndodhë kur policët kërkojnë kushte të dinjitetshme të punës, e as kur mendojnë ndryshe politikisht.

Natyra Kuçi, PSD

Sipas saj, policët duhet të suspendohen kur bëhen vegël e pushtetit.

“Suspendimi nuk guxon me ndodh kur policet kerkojne kushte te dinjitetshme te punes, as kur policet mendojne ndryshe politikisht. Policet duhet te suspendohen kur behen vegel e pushtetit (kur kapin protestues per fyti, kur arrestojne kamerman ne menyre mizore)”, ka shkruar Kuçi në rrjetin social Facebook.

Ndërsa filozofi Blerim Latifi ka thënë se Polici për një të vërtetë suspendohet, ndërsa deputeti zhvat shtetin, dhe nuk ndodh asgjë me të.

“Policin që e thotë një të vërtetë, e suspendojnë nga puna, ndërsa deputetin që jeton në Prishtinë dhe gënjen se udhëton nga një vend tjetër i Kosovës, sa për t’ia zhvatë shtetit paret e naftës, nuk e prekin”.

Blerim Latifi

“Kjo nuk është demokraci. Kjo është pseudo-demokraci. Sepse demokracia e vërtetë është barazi para ligjit, ndërsa demokracia e rreme një regjim ku vlen parimi i Orwell-it tek ‘Ferma e Kafshëve’: Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat! Kthejeni policin në punë! Sepse e vërteta na çliron, ndërsa mashtrimi veç e trashë pushtetin e batakçinjve e hajdukve”, ka shkruar ai Latifi në rrjetin social Facebook.

 

IPK: Nuk rekomanduam suspendimin e zyrtarit policor

Ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një njoftimi për media ka sqaruar suspendimin nga puna të zyrtarit policor të Kosovës, duke bërë të ditur se i njëjti nuk është suspenduar nga IPK, por nga vetë Policia e Kosovës.

IPK

Zyrtar i Policisë së Kosovës, Amir Hoxha, është pezulluar nga detyra për një afat kohor prej tre ditësh, pasi i njëjti ka postuar në rrjetin e tij social në Facebook një status lidhur me pakënaqësinë e tij për mos-pagesën e shujtave për policët.

Ai i indinjuar me rregulloren e Kuvendit të Kosovës për pagesën e udhëtimit për deputetët, ka bërë krahasimin ndërmjet një polici, të cilit nuk i paguhet shujta gjatë kryerjes së detyrës dhe një deputeti të cilit i paguhen derivatet, edhe pse ky i fundit mund të bëjë edhe pa të.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm timin në afat prej tre ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos-pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Zyrtari policor i suspenduar, Amir Hoxha

“Me sa e di unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ‘fjala e lire apo shprehja e një pakënaqësie e cila është e bazuar në Ligj’ nuk paraqet vepër penale”.

Për Policin në fjalë pezullimi i tij nga detyra vjen me pretekstin se i njëjti ka kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore, pasi ka shprehur mendimin e tij të lirë për një pakënaqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore