Shqipëria

Hajdutët e shkronjave


Nëse hyn në një supermarket dhe e vjedh një pako çamçakëzësh dhe të kapin ti je hajn dhe për këtë mund të dënohesh. Një pako “Orbit” në supermarketet kosovare kushton 0.40 cent. Të dënohesh për një shumë si kjo tingëllon banale ndoshta. Mirëpo Kodi Penal i Kosovës e parasheh që për çdo vjedhje nën shumën prej 50-të eurosh, mund të marrësh gjobë apo deri në 6-të muaj burgim.

Ta nisësh një ekip gazetarësh në terren, kushton shumë më shumë se një pako Orbit. Ekipi përbëhet nga gazetari, kameramani e shoferi e po ashtu redaktori me të cilin finalizohet puna. Të gjithë paguhen për çdo muaj dhe transporti deri te vendi i ngjarjes e ka koston e vet. Shto këtu përpjekjet dhe energjia e harxhuar në hulumtim të rasteve që përbëjnë material mediatik. Ekipi kalon nëpër një proces të gjatë e të mundimshëm deri te publikimi final i materialit. Dhe puna e tyre në fund të ditës përfundon e vjedhur.

Në korrik të këtij viti qindra qytetarë të Deçanit u helmuan. Ekipi i Albanian Post qëndroi një ditë të plotë në fshatrat ku dyshohej se uji ishte i kontaminuar, u kthye në Prishtinë, punoi në redaktim teksti e editim të videos dhe e lëshoi materialin. Në mbrëmje lajmi u ripublikua nga kolegët gazetarë duke mos cituar shtëpinë mediatike që e ka prodhuar materialin. Kronika ishte vjedhur dhe kjo përbënte shkelje të rëndë të etikës dhe kodit gazetaresk.

Meqë portalet e lajmeve vjedhin nga njëra-tjetra, “profesor Ismail Kurtishi”, i cili ligjëron në fakultetin juridik, e lexon një lajm në nja dhjetë portale dhe prapë, nuk e mban në mend se cilin e lexoi paraprakisht e cilin tani. Ndryshon vetëm ‘domain-i’. Përmbajtja është uniforme. Mediat po vjedhin nga njëra tjetra!

Informacionet për ndodhitë shpërndahen me shpejtësinë e dritës dhe nuk dihet kush e mori e kush e solli informatën. Rrjedhimisht lexon të njëjtin formulim dhe të njëjtat detaje gjithandej. Kjo mënyrë e sjelljes së mediave e vërteton se identiteti i tyre është venitur. Vlen vetëm metoda “copy-paste” duke e zhvlerësuar rregullën e artë shekullore gazetareske “kurrë mos vidh, gjithmonë atribuo”.

Lajmet kanë aq ndikim sa edhe formësojnë opinionet e njerëzve. Të kornizuara në mënyra të caktuara, ato edhe mund ta ndikojnë direkt mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe se cila do të jetë qasja e tyre në çështje të caktuara që e shqetësojnë shoqërinë. Kur mat ndikimin që e kanë, paralelisht rritet edhe përgjegjësia në dhënien e informacioneve dhe mënyrën e të raportuarit.

Megjithatë pasojat e papërgjegjësisë së mediave shqiptare nuk janë të dhimbshme për to, por për misionin e gazetarisë, SHUMË. Në tentativë për të pasur shtrirje të madhe në masë, ato po e dëmtojnë vetë ekzistencën e tyre. Sasia e përmbajtjes mediatike – e bartur sa te njëri medium te tjetri – po bëhet toksike për audiencat të cilave iu servohet.

Në vitin 1920, teoricieni amerikan Harold Lasswell diskutonte për “gjilpërën hipodermike” si teori që shpjegonte raportin në mes mediave dhe audiencave. Sipas tij mediat vepronin si gjilpërë hipodermike te audiencat – pra vetëm injektonin përmbajtje – duke i bërë ato pasive dhe të dobëta. Lasswell sugjeronte se audiencat janë të pafuqishme t’i rezistojnë mesazhit që e marrin përmes mediave. Kjo teori thekson se audiencat ndikohen pavetëdijshëm nga përmbajta mediatike dhe mund të ndërmarrin veprime nën ndikimin e mesazheve që kanë ‘përbirë’.

Teoria e Lasswell ka një të vërtetë – mediat kanë ndikim të madh në audienca. Por teoria nuk qëndron në atë që audiencat janë pasive. Shumë më vonë, në 1974-tën teoricienët amerikanë Jay Blumler dhe Elihu Katz erdhën në përfundim se audiencat konsumojnë përmbajtje mediatike për nevojat dhe kënaqësitë e tyre. Ata lexojnë e dëgjojnë lajme e shohin televizion sepse u pëlqen ta bëjnë këtë gjë dhe e kanë aftësinë e plotë të zgjedhin se çfarë duan e kanë nevojë të konsumojnë.

Interneti ka bërë që audiencat të jenë më të ekspozuara karshi lajmeve, madje dhe aksidentalisht. Ky konsum i madh e ka rritur ambicien e mediave për më shumë prodhimtari. Por portalet në Kosovë, të nxitura nga ambicia për klikime që përbëjnë statistika potencialisht fitimprurëse janë zhytur thellë në joprofesionalizëm dhe notojnë “20 mijë lega nën det”.

Por audiencat e portaleve janë aktive. Duke qenë të tilla e kanë kuptuar edhe dembelinë e përditshme të portaleve. Kjo e ka dëmtuar rëndë mediumin si institucion që ka për mision të komunikojë me audiencat në shërbim të së vërtetës dhe përçimit të informatave. Kredibiliteti i portaleve po vihet në pikëpyetje nga vetë audiencat të cilat ato dëshpërimisht synojnë t’i mbajnë të interesuara për përmbajtjet që prodhojnë.

Organizatat mediatike janë të orientuara kah profiti me plot të drejtë sepse u duhet për ekzistencë. Ato konstant punojnë fort për vëmendjen e audiencave por e bëjnë mbrapsht. Nëse vjedh vetura dhe i shet, doemos do të kapesh. Askush nuk do të blejë një veturë të vjedhur, qoftë edhe për një çmim parsyeshëm të ulët. E njëjta analogji vlen edhe për produktet mediatike. Konsumuesit e lajmeve e kanë gjykimin dhe aftësinë ta kuptojnë që po lexojnë të njëjtën gjë ngado.

Është e kuptueshme që tranzicioni nga printi në epokën digjitale ka sjellë sfida financiare për mediumet. Të ndodhura në këtë situatë ato shpëtimin e kërkuan te rrjetet sociale ku bëhet luftë e pamëshirshme për pak vëmendje në një det me përmbajtje. Por fatkeqësisht raporti i organizatave të lajmeve me rrjetet sociale është kompleks dhe jo aq frytdhënës sa pritej e dëshirohej.

Meqë rrjetet sociale janë platforma digjitale në pronësi të tjetër kujt, e tëra që i intereson Mark Zuckerberg si pronar i Facebook është të ketë qarkullim të përmbajtjes dhe përfshirje të audiencës në atë që i servohet. Atij nuk i bëhet vonë se çfarë ka komentuar lexuesi i lajmit, por vetëm se a ka komentuar ai. Dhe portalet shqiptare “e hëngrën foren”.

Duke synuar prodhimtari të lartë për të tërhequr lexues që u vijnë nga rrjetet sociale, ato po e ndihmonin më shumë Facebook-un të rritej në përdorues se sa vetë organizatën e tyre. Kapacitetet për prodhim e distribuim të madh nuk i kanë prandaj vjedhin dhe janë të vjedhura.

Portalet shqiptare plotësisht vetëdijshëm janë të përfshira në një aktivitet imoral.

Etika profesionale u ka vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore