Gjykata Speciale

“Hahahaha, shitje organesh? Jeni gjë i çmendur?” – reagimi epik i Bernard Kouchner kur ishte pyetur për raportin e Dick Marty’it dhe “trafikimin e organeve”


Bernard Kouchner

Shumë argumentime ishin bërë kundër Raportit të Senatorit zviceran Dick Marty, që aludonte për trafikim organesh në Kosovë, por asnjë s’kishte arritur ta rrëzonte për nga kredibilieti më shumë se sa një trajtim tallës që ia kishte bërë ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, kur ishte pyetur për vërtetësinë e pretendimeve të Marty-it.

“HAHAHAHAHA, shitje e organeve?”, kishte pyetur me përçmim Kouchner, derisa kishte kthyer përgjigje me një pyetje tjetër.

“Ju jeni gjë i çmendur?”, pyeti francezi gazetarin duke vazhduar të mbajë qeshjen në fytyrën e tij.

Raporti i Dick Marty-it është kthyer sërish në vëmendje tash kur ka filluar gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ishte vetë Thaçi që në fjalimin e tij para trupit gjykues në ditën e dytë të procesit gjyqësor që tha se ishte po ai raporti që detyroi Kosovën të dëgjonte kërkesën e ndërkombëtarëve për të themeluar një gjykatë speciale që merret me aludime të tilla.

“Kur raporti i Dick Martit para 13 vitesh, mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova Bashkësisë Ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur”, pohoi Thaçi.

“Bashkësia Ndërkombëtare me tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë”.

Ndërsa Kouchner, që dikur qeshte me të madhe me pretendimet e Marty-it, e që më vonë u bë edhe ministër i Punëve të Jashtme të Francës, pritet të jetë njëri nga të ftuarit si dëshmitar nga mbrojtja e të akuzuarve.

Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, në një prononcim para mediave të martën, ka thënë se e kanë ftuar “ish-shefin e UNMIK-ut, Bernard Kouchner, për të dëshmuar pafajësinë e Thaçit para Gjykatës Speciale në Hagë të Holandës”.

Raporti i Dick Marty-it dhe takimi i Banhofit

Raporti i senatorit zviceran pas publikimit ishte miratuar edhe si rezolutë në Këshillin e Evropës, dhe shtronte nevojën për një hetim ndërkombëtar për akuzat për “trajtim çnjerëzor” dhe “trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së”.

“Indikacione të shumta duket se konfirmojnë se gjatë periudhës menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të kishin qenë në gjendje të merrnin kontrollin e rajonit dhe të rivendosnin një pamje të rendit dhe ligjit, në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë Krujës, disa të burgosur iu hoqën organet për t’i dërguar jashtë vendit për transplantim”, thoshte raporti.

Siç do të kuptohej më vonë, pjesa më e madhe e raportit të Marty-it ishte dokumentacion i përgatitur nga institucionet serbe.

Ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan Protiç, më vonë do të tregonte edhe si u takuan me Marty-in për t’ia dorëzuar dokumentet.

Rrëfyer në librin e tij “Në vendlindjen e William Tell: Histori nga Zvicra”, Protiç përshkruante edhe detaje nga takimi.

“Po e prisnim Dick Marty-in në një kthinë në Banhof të Cyrihut. Në vend figurës mbresëlënëse të Sean Cnnery-it (aktori që portretizon personazhin e fiksionit James Bond) u shfaq pamja jo bindëse e Dick Marty-it. Më në fund, show mund të fillonte”, shkruante Protiç.

Më vonë, Protiç bashkë edhe me prokurorin serb për krime lufte Vladimir Vukçeviç, kishin bindur senatorin zviceran t’i pranonte dosjet e tyre.

“Gjëja më e rëndësishme për ne ishte se ai tregoi që ishte i interesuar për provat që posedonin dhe që ia vumë në dispozicion”, shkruan Protiç, “ne e hapëm derën në të cilën hyri Dick Marty, nëse jo me të dyja këmbët, të paktën me njërën”.

Më vonë do fliste edhe Vukçeviç për takimin me Marty-in.

“Pirolla i qoftë Dick Marty-it, por ky nuk ishte fryt i punës së Dick Marty-it, por fryt i punës së prokurorisë sonë për krime lufte, por Dick Marty është përfshirë dhe unë ju kam treguar se si është përfshirë”.

Vite më pas, kur Gjykata Speciale do dilte me aktakuzë, ato çfarë thoshte Marty në raportin e tij nuk do të mbërrinin as të futeshin më aktakuzë, lërmë të provoheshin, por vetë Specialja mbeti.

Në të, tani, ka filluar Gjykimi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore