Lajme

Hagë: Deri më 1 prilli 2025, Prokuroria Speciale do të paraqes prova për ish krerët e UÇK-së


Gjykata Speciale ka dhënë detaje të reja rreth procesit gjyqësor i cili po zhvillohet ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në procesin e nisur ndaj, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, u bë e ditur se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.

Ë këtë njoftim publik për medie, u bë e ditur se deklaratat hyrëse nga Prokuroria, mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtja janë planifikuar të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill 2023, ndërsa paraqitja e provave nga Prokuroria është planifikuar të fillojë më 11 prill 2023.

Për çështjen Thaçi dhe të tjerët u caktua Tijana Kostiç si mbrojtëse për shtatë individë që nuk iu pranua kërkesa për të marrë pjesë si viktima në procesin gjyqësor.

Individët që nuk iu pranua kërkesa, kanë të drejtën të apelojnë vendimin si dhe t’u caktohet avokat.

Sipas Angela Griep, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pasi konstatoi se ekziston ende rreziku Krasniqi dhe Selimi të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, mes të cilëve dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

Ndërsa në çështjen tjetër gjyqësore, paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi kërkesën e Salih Mustafës për apelimin e vendimit të panelit mbi modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave në procedurat e Apelit.

Në gjykimin e Pjetër Shalës, dëshmitari i parë do të paraqitet për të dhënë dëshmi të hënën. Seancat në këtë çështje do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, javën e parë dhe të fundit të majit, si dhe rreth dy javë në qershor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”.

“Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore