Lajme

Haga ndalon reklamat e naftës dhe udhëtimeve ajrore, e para në botë


Haga u bë qyteti i parë në botë që ndaloi reklamat që promovojnë produkte të karburanteve fosile dhe shërbime me intensitet karboni, duke përfshirë anijet turistike dhe udhëtimet ajrore.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.

Këshilli lokal i qytetit holandez miratoi legjislacionin të premten dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

Vendimi vjen pas thirrjes së shefit të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres për qeveritë që të shfuqizojnë reklama të tilla, të ngjashme me veprimet kundër duhanit që filluan në vitet ’60.

“Haga dëshiron të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2030. Atëherë nuk është e përshtatshme të lejohet reklamimi i produkteve nga industria fosile”, tha Leonie Gerritsen, një anëtare e këshillit të qytetit për Partinë për Kafshët.

Gerritsen ishte një nga mbështetësit e ligjit të ri vendas.

Haga është qendra administrative e Holandës, ku pret parlamentin, ministritë dhe gjykatën supreme të vendit.

Është gjithashtu shtëpia e organizatave kryesore ndërkombëtare si gjykata e lartë e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol.

Lëvizja e fundit nga Haga mund të frymëzojë qytete dhe qeveri të tjera që të ndjekin shembullin, sipas Femke Sleegers, koordinatore e grupit holandez të veprimit për klimën Fossil Free Advertising, e cila ishte ndër aktivistet për ndalimin lokal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore