Sport

Habit ish-shefi i Formula 1: Do merrja një plumb për Putin, person i klasit të parë


Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka vijuar me deklaratat e tij pro kreut të Rusisë, Vladimir Putin.

91-vjeçari ka qenë ndër figurat e rralla që kanë mbrojtur publikisht liderin rus pas pushtimit të Ukrainës.

Në një intervistë për “Good Morning Britain”, përcjell Albanian Post, Ecclestone ka thënë se ai do të “merrte një plumb” për Putin-in dhe beson se ky i fundit po bën “gjënë e duhur” në Ukrainë.

Ai hodhi akuza ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ishte një komedian para luftës dhe “donte të vazhdonte të ishte i tillë”.

Më pas miliarderi këmbënguli se pushtimi “mund të kishte përfunduar ndryshe” nëse Zelensky do të “kishte biseduar me Putin-in”.

“Mendoj se personi tjetër në Ukrainë, profesionin e të cilit e kuptoj, se ai ka qenë një komedian, profesion të cilit duket se dëshiron ta vazhdojë, nëse do të ishte menduar për gjërat, do të kishte bërë patjetër një përpjekje për të folur me zotin Putin, i cili është një person i arsyeshëm dhe do ta kishte dëgjuar atë dhe ndoshta do të kishte bërë diçka për këtë”, tha Ecclestone.

Ndërsa, për sa u përket viktimave të luftës në Ukrainë, 91-vjeçari tha se “nuk ishte e qëllimshme”.

Nuk është hera e parë që Ecclestone “trondit” me deklaratat e tij pro Putin-it.

Në vitin 2019, ai tha se do të “qëndronte para një automatiku” për të shpëtuar liderin rus, sepse ai është një “djalë i mirë”.

Ish-shefi i F1 tha gjithashtu se ai mendonte se Putin-i duhet të drejtonte Evropën.

“Do të doja që ai të drejtonte Evropën”, u shpreh ai, duke shtuar se “Ai bën atë që thotë se do të bëjë”.

“Unë nuk jam përkrahës i demokracisë. Ju duhet një diktator. Si diktator, ju thoni: ‘Kjo është ajo që do të bëj’. Në një demokraci, ajo zbehet”, vijoi 91-vjeçari.

Për herë të parë në publik, Putin dhe Ecclestone u panë gjatë Çmimit të Madh të Rusisë në vitin 2014, kur ky i fundit e cilësonte liderin rus si “person të klasit të parë”.

Ecclestone nuk lavdëron vetëm Putin-in.

Disa vite më parë, ai ka lavdëruar edhe Adolf Hitler-in dhe akuzuar hebrenjtë.

Megjithatë, në këtë rast, përfundoi duke kërkuar falje dhe thënë edhe se “unë nuk jam një admirues i diktatorëve, që sundojnë nga terrori”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore