Sport

Gundogan rikthehet te City në një lëvizje të jashtëzakonshme merkatoje për ‘qytetarët’


Pas ndarjes së “paqtë” të rrugëve me Barcelonën, në një lëvizje të jashtëzakonshme merkatoje, Ilkay Gundogan do të rikthehet te Manchester City për të tentuar edhe një herë në karrierë tripletën e famshme, të arritur gjatë vitit 2023.

Të gjithë detajet mes Gundogan dhe City-t janë zgjidhur dhe kontrata e re do të jetë e vlefshme për një vit, deri në qershor 2025.

Barcelona ndërkohë nuk do të marrë asnjë kacidhe nga largimi i Gundogan, siç ishte mësuar më parë.

Pep Guardiola dhe ekipi i tij, me të mësuar këtë lajm kanë nisur menjëherë bisedimet me Gundogan, sa është mësuar nga raportimet mediatike dhe brenda 48-orësh bisedime ka pasur akord mes palëve.

Lëvizja në fakt shkon përtej gjenialitetit për “qytetarët” e City-t, pasi gjithçka nisi si një reaksion zinxhir nga një ide e çmendur e blaugranave.

Drejtuesit e Barçës patën “guximin” t’i kërkonin City-t një shkëmbim mes Gundogan dhe Rodrit. City jo vetëm nuk e pranoi këtë ide të çmendur të Barcelonës, por filloi të mendonte edhe lëvizjen e bujshme të Gundogan pa asnjë shpenzim ekstra.

Vetë gjermani, i cili së fundmi u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar, ka hequr dorë nga dy vjet paga të Barcelonës, në mënyrë që të bashkohej sërish me City-n dhe të kishte mundësi të firmoste një kontratë të re në karrierën e tij.

Zërat më parë ishin edhe ata për një kalim të mundshëm në vendet arabe për Gundogan, por duket se ai e ka edhe një vit futboll të niveleve të larta në këmbë dhe atë do t’ia kushtojë klubit që i fali gjithçka në karrierë, përfshi edhe ngritjen lart të një Champions League si kapiten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore