Lajme

Gucati në Hagë: S’kam njohuri për gjykimet e kaluara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së


Hysni Gucati

Në ditën e tretë të dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka potencuar se nuk ka njohuri për gjykimet e kaluara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së apo frikësimit të dëshmitarëve në të kaluarën në Kosovë.

Kështu duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores së Zyrës së Prokurorisë Speciale, Valeria Bolici, e cila ka prezantuar dokument që lidhen me gjykime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por të njëjtat nuk janë bërë publike.

“Këtë dokument që mi treguat po më vjen shumë keq, por më përkujton vitet e mija pas luftës vitet më të vështira të jetës sime. E di që ka pasur gjykime ndaj pjesëtarëve të UÇK-së por çfarë vendime janë marrë nuk e di. Kështu që më vjen shumë keq që mi përkujton këto vite ti mua por nuk është problem, të jetë në ndërgjegjen tuaj”, ka thënë Gucati.

Prokurorja Bolici ka paraqitur disa shkrime të Gucatit në faqen e tij të Facebook dhe intervista të cilat i ka dhënë më herët në mediat në Kosovë që sipas saj lidhen me dëshmitarët.

“Ata të cilët protestonin në Kosovë në vitin 1999 kur NATO bombardonte caqet serbe për t’i shpëtuar shqiptarët, ata janë armiq të vendit tim dhe kombit tim”, ka thënë ai.

Valeria Bolici

Ndërsa prokurorja e ka pyetur nëse deklarimet e tij të mëparshme nënkuptojnë që të gjithë dëshmitarët kundër ish-pjesëtarëve të UÇK janë bashkëpunëtorë të serbëve, Gucati ka mohuar të ketë thënë diçka të tillë.

Kur prokurorja e ka pyetur nëse ka dëshmitarë të vrarë pasi të njëjtit kanë dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së ai ka kërkuar që fjalët e tij mos të nxjerrën nga konteksti por shkrimet e mëhershëm të lexohen të plota.

“Mos nxirrni fjalë nga konteksti çfarë juve ju duhen, lexoni komplet, nëse doni atëherë ju kisha lutë gjyqtarë të nderuar të lexohet teksti deri në fund. Nuk është e vërtetë që kam thënë unë që dëshmitarët që kanë qenë kundër UÇK-së janë vra. Unë i bëj thirrje personit në fjalë nëse di një rast të jetë burrë mos të ketë frikë të dëshmojë, ”, ka thënë ai.

Ish-kreu i OVL- UÇK-së ka thënë se çdo vrasje që ka ndodhur duhet të zbulohet por sipas tij diçka e tillë nuk duhet të bëhet me padrejtësi dhe shantazhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore