Sport

Guardiola: Kemi pirë gjithë alkoolin e Mançesterit, e përgëzoj ekipin për paraqitjen


Pep Guardiola përshëndeti përpjekjet e lojtarëve të tij të Manchester City-t në barazimin të së mërkurës mbrëma në Brighton, pasi sipas tij, ata kishin pirë të gjithë alkoolin në Mançester të dielën mbrëma gjatë festimeve të titullit të tyre në Premier League.

City u prezantua me trofeun pas fitores 1:0 në shtëpi kundër Chelsea-t, megjithëse triumfi i tyre ishte vulosur të shtunën kur kundërshtari i tyre më i afërt, Arsenali, humbi në Nottingham Forest.

“Në orën 22:30 isha në shtrat me gruan time,” tha ai. “Isha i rraskapitur. Pashë Match of the Day dhe më pas fjeta si bebe. Por unë e di që lojtarët bënë atë që duhet të bëjnë. Kur fiton Premier League duhet të festosh”, theksoi trajneri spanjoll.

“Të nesërmen në mëngjes, ishte vetëm koha e saunës. Dhe të nesërmen – dje – folëm pak pasdite: djema, duhet të jeni gati, energji, për Brighton”.

“Isha pak i shqetësuar rreth asaj se sa kemi hequr nga ajo që kishim bërë gjatë katër, pesë, gjashtë muajve të fundit… 40 orë më parë kemi pirë të gjithë alkoolin në Mançester”.

“Por skuadra ishte aty dhe kjo është arsyeja pse jam shumë i kënaqur. Sepse nuk dua që skuadra të bjerë para finaleve të FA Cup dhe Champions League”.

“Ne treguam pse jemi skuadra më e mirë në Angli. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si jemi ende si ekip pasi jemi kampion”.

Kujtojmë që Manchester City do të përballet me Manchester United-in më 3 qershor në finalen e FA Cup, pastaj një javë më vonë do të ballafaqohet me Inter-in në finalen e Ligës së Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore