Shqipëria

Grupi shqiptar kërkon që qeveria të ndalojë krimet kibernetike kundër grave


Një grup i grave shqiptare po i kërkon qeverisë të kriminalizojë dhunën kibernetike ndaj grave.

Një lëvizje kjo, që vjen pas dy ngjarjeve të rënda të dy muajve të parë të këtij viti, ku dy gra janë shtyrë drejt vetëvrasjes prej shantazheve online.

Anita Lushi, koordinatore e Rrjetit Shqiptar për Fuqizimin e Grave (AWEN), ka thënë për Euronews Next se kjo është një formë në rritje e dhunës me bazë gjinore që duhet të adresohet nga të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Kjo është një çështje emergjente dhe e sigurisë kombëtare, që gratë po shtyhen drejt vetëvrasjes”, ka vijuar Lushi.

Sipas saj, abuzimi i bazuar në imazhe digjitale ka arritur një pikë kulmore ku “ne nuk mund të durojmë më dhe të jemi vëzhgues”.

Paçka se Lushi ka thënë se kjo është një tendencë në rritje, ajo ka pranuar se deri më tani nuk ka të dhëna se sa gra kanë vrarë veten në Shqipëri për shkak të çdo lloj dhune kibernetike.

Ekipi i saj në AWEN po nis studimin e parë gjithëpërfshirës të çështjes, me rezultatet që priten më vonë këtë vit.

Qëllimi i tyre është që përfundimisht të përdorin gjetjet e tyre për të hartuar një ligj që do të kriminalizojë në mënyrë specifike aktet e dhunës në internet kundër grave.

“Shqipëria është në procesin e rishikimit të Kodit Penal, kështu që ky do të ishte akti më i rëndësishëm që qeveria duhet të ndërmarrë tani”, ka shtuar Lushi, pasi ligji aktualisht nuk i referohet abuzimit të bazuar në imazhe digjitale ose pornografi hakmarrëse.

Më herët, Kryeministri Edi Rama u takua me zyrtarë të TikTok-ut për të folur rreth ngjarjeve  të fundit të rënda në vend.

Ai u tha zyrtarëve se tanimë ka lindur “nevoja për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazhit dhe gjuhës së urrejtjes në internet”.

Sakaq, Shqipëria është një vend nënshkrues i Konventës së Stambollit, e cila synon të luftojë dhe parandalojë dhunën ndaj grave.

Por konventa nuk trajton në mënyrë specifike asnjë formë të sulmeve kibernetike.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian miratoi një direktivë të re për të luftuar mizogjininë në internet që kriminalizon të gjitha format e dhunës kibernetike ndaj grave.

Teksa Shqipëria nuk është anëtare e BE-së, është një vend kandidat dhe Lushi ka thënë se përgjithësisht miratohen direktivat e BE-së për t’ju afruar anëtarësimit.

Kjo direktivë e re e BE-së, sipas saj, do të jetë “ndihmuese” në formësimin e qëndrimit të Shqipërisë ndaj dhunës kibernetike ndaj grave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore