Shqipëria

Grupi i Punës për Zgjerimin në BE mblidhet për “Planin e Rritjes” së Ballkanit Perëndimor


Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim në Bashkimin Evropian do të mblidhet të premten e 6 shtatorit në Bruksel.

Kjo, për të diskutuar mbi fondet e “Planit të Rritjes” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajmi u konfirmua për Albanian Post, nga zyrtarja në Zyrën e Shtypit të Këshillit të BE-së, Liis Jaansalu.

AP-ja mësoi gjithashtu se në axhendën e Grupit të Punës për Zgjerimin, është përfshirë edhe një darkë e cila do të organizohet nga Komisioni Evropian më 19 shtator me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë që Grupi i Punës është përgjegjës për procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet me vendet kandidate që negociojnë anëtarësimin e tyre në BE.

Kryesisht merret me: përgatitjen e negociatave të anëtarësimit dhe pozicionin negociator të BE-së, vlerësimin e progresit të bërë nga vendet kandidate në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, marrëdhëniet me vendet kandidate në kuadër të Marrëveshjes së Asociimit dhe instrumentin financiar për Asistencën e Para-Aderimit (IPA).

Këstet e para të “Planit të Rritjes” pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet e Ballkanit Perëndimor që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin e tyre me politikat evropiane.

Në një direktivë të re historike, Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që të justifikojnë, si pjesë e programeve të tyre të reformës, se si synojnë të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe sanksionet.

Njoftimi i bërë nga zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nënvizoi rëndësinë e shtrirjes politike në procesin e reformës, ndërsa theksoi zhvillimin gradual dhe të vazhdueshëm që pritet në këtë fushë.

“Përafrimi me politikën e jashtme të përbashkët të BE-së përfshihet si një objektiv specifik në programet e reformës. Me fjalë të tjera, vendet duhet të shpjegojnë se si reformat e tyre do të kontribuojnë në harmonizimin e qëndrueshëm me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian”, nënvizoi Pisonero.

Aktualisht, Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që i janë përmbajtur vendimeve të BE-së në përgjigje të agresionit të Ukrainës.

Deri më tani, Brukseli ka vendosur 14 raunde sanksionesh kundër Moskës, një kontekst gjeopolitik që vendet e rajonit duhet ta integrojnë momentalisht në strategjitë e tyre politike.

Edhe pse përafrimi me sanksionet nuk është një parakusht për marrjen e fondeve të “Planit të Rritjes”, ai mbetet një faktor përcaktues në vendimin për pagesat.

Plani i Rritjes, më ambicioz i nisur ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për këtë rajon, synon të dyfishojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

I pajisur me gjashtë miliardë euro, duke përfshirë dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta, ky program ambicioz do të zgjasë nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Çdo vend do të duhet të hartojë një program reformash, miratimi i të cilit do t’i nënshtrohet një vendimi zbatues nga Komisioni.

“Përpara finalizimit të kësaj, sigurisht që do të konsultohemi me shtetet anëtare. Vlerësimi është në vazhdim dhe për të marrë mbështetje financiare nga kjo strukturë, do të duhet të arrihet një marrëveshje për zbatimin e suksesshëm të reformave”, ravijëzoi në përmbyllje Pisonero.

Ky plan ambicioz nuk siguron vetëm fonde: ai imponon një rishikim real të prioriteteve politike dhe ekonomike, duke e udhëhequr Ballkanin Perëndimor drejt një përafrimi më të ngushtë me Bashkimin Evropian.

Harmonizimi i politikave të jashtme është tashmë një imperativ, duke shënuar një hap vendimtar në përgatitjen e vendeve të rajonit për integrimin e tyre të ardhshëm në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore