Lajme

Gruaja që u shua në kërkim “të zërit të Srebrenicës”


Hajra Çatiç, një nga gratë ikonike boshnjake të Srebrenicës ndërroi jetë të martën e 9 nëntorit.

Çatiç i kushtoi të gjithë jetën e saj gjetjes së eshtrave të më shumë se 8 mijë muslimanëve boshnjakë të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.

Mediat lokale boshnjake raportuan se “gruaja e Srebrenicës” kishte vdekur nga problemet e zemrës në një spital të Sarajevës.

Hajra Çatiç

Ajo humbi 20 të afërm meshkuj, përfshirë burrin dhe djalin e saj Nino Çatiç.

Ky i fundit konsiderohej si “zëri i Srebrenicës”, pasi ishte korrespondent për disa gazeta boshnjake dhe media të tjera gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Dëshira e saj e vetme ishte gjetja e trupit të djalit, i cili u zhduk më 10 korrik të vitit 1995, në moshën 26-vjeçare.

Nino Çatiç
“Lufta për të vërtetën nuk duhet të ndalet”

Çatiç ishte një nga themelueset dhe kreu i shoqatës “Gratë e Srebrenicës”. Organizata bënte fushatë për ruajtjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi gjenocidin e boshnjakëve të vitit 1995.

“Hajra Çatiç vdiq sot pa qenë në gjendje të merrte pjesë në funeralin e djalit të saj Nihad Nino Çatiç”, do të deklaronte Qendra Përkujtimore e Srebrenicës (MCS) përmes një deklarate.

Për 26 vite “ajo ruajti kujtimin e guximit të këtij reporteri të luftës nga Srebrenica, duke i inkurajuar të tjerët se lufta për të vërtetën dhe drejtësinë nuk mund dhe nuk duhet të pushojë”, vijon deklarata e MCS-së.

Serbët vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem në ditët në vijim dhe i varrosën në varre masive.

Udhëheqësi serb boshnjak i kohës së luftës Radovan Karaxhiç dhe shefi i tij i ushtrisë Ratko Mlladiç u dënuan më vonë me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës, veçanërisht për gjenocidin në Srebrenicë.

Në një intervistë për portalin boshnjak Klix.ba vitin e kaluar, Çatiç deklaroi se “do të kthehej në jetë nëse do të gjente të paktën një prej kockave të tij”.

Në kujtim të djalit të saj dhe punës së tij të rëndësishme informative çdo 10 korrik, MCS-ja ndan Çmimin e Gazetarisë kushtuar Nino Çatiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore