Vende

Greqia sfidon botën me qytetin inteligjent The Ellinikon


Mban emrin The Ellinikon.

Është një projekt rigjenerimi urban i zhvilluar nga Lamda Development SA, një kompani që zhvillon plane të menaxhimit të pasurive të paluajtshme dhe aseteve të listuara në Bursën e Athinës.

Por pronësinë e ka në SHBA.

Ideja është të rizhvillohet një zonë e degraduar ku ndodhet aeroporti i vjetër i papërdorur, por edhe të prezantohet në tregun ndërkombëtar si një model i ri zhvillimi për përdorim rezidencial dhe turistik.

Me një sipërfaqe prej gjashtë milionë metrash katrorë, The Ellinikon do të ofrojë më shumë se dhjetë mijë zgjidhje strehimi brenda parkut më të madh bregdetar në Evropë.

Ai do të përshkohet nga një rrjet prej 50 kilometrash shtigje biçikletash, tre zona ekskluzive për blerje ndër më të mëdhatë në Evropë.

Pritet që aktivitetet e mëvonshme të The Ellinikon të krijojnë 75 mijë vende të reja pune dhe më shumë se një milion turistë që do ta vizitojnë çdo vit.

The Ellinikon nuk do të jetë vetëm një qytet inteligjent me infrastruktura moderne në teknologji dhe qëndrueshmëri, por edhe një model që përcakton një standard të ri për zhvillimin e të gjithë bregdetit urban dhe zonës së portit.

Do të ketë një kilometër plazh publik dhe një pjesë ekskluzive të rezervuar për turizmin luksoz, një marinë me 400 ankorime dhe tre hotele të nivelit të lartë.

E gjithë zona do të mbulohet nga një lidhje ultra e shpejtë që do të lejojë përdorimin e një sistemi navigimi me pamje direkte bazuar në realitetin e shtuar për të qarkulluar brenda qytetit.

Ai do të ndërtohet vetëm 20 minuta nga qendra e Athinës , porti dhe aeroporti i saj ndërkombëtar.

Ndërtimi i të gjitha ndërtesave rezidenciale dhe rekreative do të jetë maja e ajsbergut të një serie të tërë infrastrukturash të avancuara teknologjikisht dhe zgjedhjeve të projektimit të vlerësuara në detaje.

Ndër to përfshihet rrjeti i transportit të brendshëm i gjeneratës së fundit, si dhe zgjidhjet arkitekturore bioklimatike me fasada të gjelbra të dizajnuara për të garantuar izolimin termik dhe prodhimin e energjisë, reduktimin e emetimeve dhe pastrimin e vazhdueshëm të ajrit.

Madje është planifikuar një seri sensorësh të shpërndarë përgjatë bregdetit që do të monitorojnë gjendjen shëndetësore.

Qëllimi përfundimtar është që të ndihmohet banori dhe turisti të shijojë plotësisht realitetin natyror që ka zgjedhur, duke ndryshuar stilin e jetës dhe duke e futur detin në jetën e tij të përditshme, falë edhe një sërë iniciativash dhe strukturash për sportin dhe mirëqenien.

Po ashtu The Ellinikon synon të revolucionarizojë idenë dhe përdorimin klasik të hapësirave tregtare me zhvillimin e qëndrueshëm dhe teknologjikisht të avancuar të zyrave dhe qendrave të menaxhimit

Çka synon të inkurajojë rritjen e kompanive duke u bërë thirrje për startup-e për të ofruar një mjedis stimulues që favorizon talentet në Athinë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore